Mbërrin në Afganistan treni i 3-të me ndihma nga Turqia

Ka mbërritur në Afganistan Treni i tretë i Mirësisë i ngarkuar me ndihma humanitare të mbledhura në Turqi nga OJQ të ndryshme në koordinim me Agjencinë e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Në kuadër të aksionit humanitar “Treni i Mirësisë”, Turqia i dorëzoi Ministrisë së Shëndetësisë së Afganistanit grupin e tretë të ndihmave humanitare.

Treni i tretë ishte nisur nga Ankaraja më 25 shkurt me 994 tonë ndihma humanitare dhe pasi kaloi pikën e kalimit kufitar Turgundi në kufirin me Turkmeninë hyri Afganistan.

Ceremonia e dorëzimit të ndihmave humanitare u zhvillua në pikën e kalimit kufitar Turgundi me pjesëmarrjen e konsullit të përgjithshëm turk në provincën e Heratit, Sinan Ilhan, përfaqësuesve të AFAD-it, Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Shoqatës “Yedibashak”, koordinatorit të TIKA-s në Kabul dhe zyrtarë afganë.

Drejtori i AFAD-it për Ndihmat Humanitare Ndërkombëtare, Burkhan Aslan tha se ndihmat humanitare përfshijnë ushqime, batanije dhe veshje dimërore.

Sipas tij, ndihmat do të paketohen në provincën e Heratit dhe në fazën e parë do të shpërndahen ushqime për 500 familje në nevojë në 17 provinca afgane.

“Ka përfunduar shpërndarja e ndihmave që kanë shkuar në Afganistan më 7 shkurt (me Trenin e parë të Mirësisë që ishte nisur nga Ankaraja më 27 janar me 750 tonë ndihma humanitare) dhe jemi drejt përfundimit të shpërndarjes të ndihmave që kanë ardhur me Trenin e dytë të Mirësisë”, sqaroi Aslan.

Treni i Mirësisë mbërriti në Afganistan pasi përshkoi një distance prej 4 mijë e 168 km duke kaluar nëpër Turqi, Iran dhe Turkmeni.

Kategoritë
BotaLajme