Mbërrin në Somali grupi i parë i policeve somaleze të trajnuara në Turqi

Policet e Somalisë u pritën në aeroport nga zyrtarë të lartë të qeverisë dhe zyrtarë turq

Avioni ushtarak turk që transportoi policet e para femra të operacioneve speciale somaleze që u trajnuan në Turqi, u ul në Aeroportin Ndërkombëtar Aden Adde në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, raporton Anadolu Agency (AA).

Policet e Somalisë u pritën në aeroport nga zyrtarë të lartë të qeverisë dhe zyrtarë turq.

Zëvendësdrejtori i policisë, Osman Abdullahi Mohamed, në një fjalim drejtuar policeve femra tha se “Falë vëllezërve tanë turq, ju keni marrë një prej trajnimeve më të mira të botës, ndërsa tani është koha që të shërbehet me nder dhe dinjitet për atdheun dhe popullin tuaj”.

Zyrtarët turq gjatë fjalimit në ceremoni u shprehën se Turqia do të vazhdojë mbështetjen e saj për qeverinë dhe popullin e Somalisë.

Policet femra do t’i bashkohen njësisë së operacioneve speciale e cila njihet me emrin “Harmacad”, që në gjuhën vendase do të thotë “Gepard”.

Po ashtu edhe personeli i forcave speciale i përbërë nga mbi 100 persona që u trajnuan në Turqi, u bashkuan me brigadën e forcave speciale të emërtuar “Gorgor” (Shqiponja).

Njësitë elitare Harcamad dhe Gorgor luftojnë kundër organizatës terroriste AL-Shabaab, që është degë e Al-Kaedës.

AL-Shabaab shpeshherë kryen sulme të cilat kanë në objektivin e tyre forcat e sigurisë dhe vendbanimet civile.

Kategoritë
BotaLajme