Mbi 1 mijë e 100 pacientë kërkuan trajtim jashtë vendit gjatë vitit 2021

Mbi 1 mijë e 100 pacientë kosovarë gjatë vitit të kaluar u detyruan të kërkojnë mbështetje financiare nga shteti për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore të Kosovës.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës thonë se nuk kanë arritur t’i sigurojnë të gjitha shërbimet, mirëpo janë duke investuar që kjo të ndryshojë në te ardhmen. Shoqata për të Drejtat e Pacientëve e sheh shqetësuese faktin se shumë shërbime shëndetësore qytetarët duhet t’i marrin në vendet e tjera.

Klinikat që më së shumti kanë referuar pacientë për shërim jashtë vendit janë Klinika e Ortopedisë, Pediatrisë, Oftalmologjisë, e Hematologjisë. Ndërsa, pacientët që vuajnë nga sëmundje malinje janë ata të cilët më së shumti kërkuan trajtim në spitalet jashtë vendit.

Divizioni për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, në kuadër të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, përmes një përgjigje me shkrim, i tha KosovaPress-it se nga Qeveria fillimisht ishin ndarë 6 milionë euro, ndërsa me rishikim të buxhetit janë shtuar edhe 3 milionë të tjera.

Ky institucion ka pranuar 1122 aplikacione, prej të cilave 451 janë raste të rregullta dhe 671 janë raste urgjente.

“Klinikat të cilat referojnë më së shumti pacientë për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike janë: Ortopedia, Pediatria, Oftalmologjia, Hematologjia, Neurokirurgjia dhe Urologjia. Ndërsa, sa u përket sëmundjeve qe kërkojnë ndihmë financiare për shërim jashtë vendit, me të shpeshta janë; sëmundjet malinje (si leukemia), sëmundjet e kardiokirurgjisë”, thuhet në përgjigje.

Sipas të dhënave të këtij divizioni, Shqipëria, Maqedonia e Turqia janë ndër shtetet që më së shumti pacientët kosovarë kërkojnë trajtim për sëmundjet që vuajnë dhe nuk trajtohen në institucionet publike në Kosovë.

Ndërsa, fëmijët dhe adoleshentët janë kryesisht ata që kërkojnë mbështetje financiare nga shteti.

“Vendet në të cilat më së shumti pacientët marrin shërbim shëndetësor janë: Turqia, Kosova, Maqedonia, Shqipëria, si dhe vendet tjera evropiane. Vërehet një numër i lartë i aplikimeve, mirëpo moshat të cilat më së shumti kërkojnë mbështetje financiare për trajtimin e sëmundjeve të tyre jashtë institucioneve shëndetësore publike janë 0-18 vjeç”, përfundoi përgjigja e Fondit për Sigurime Shëndetësore për KP.

Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës pranojnë që nuk kanë arritur t’i sigurojnë të gjitha shërbimet për pacientët me sëmundje te kancerit, kryesisht për ata që vuajnë nga leukemia.

Mirëpo, drejtori Valbon Krasniqi deklaroi se edhe investimet i kanë drejtuar pikërisht në shërbimet që aktualisht nuk ofrohen në mënyrë që pacientët të mos kenë nevojë të shkojnë për trajtim jashtë vendit.

“Në Oftalmologji kemi zvogëluar numrin e pacientëve që dërgohen jashtë dhe shumën që paguhet nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Pra, jemi në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë, me Fondin e Sigurimit Shëndetësor dhe ne si SHSKUK investimet, qoftë në pajisje mjekësore, qoftë në infrastrukturë, jemi duke i orientuar pikërisht në shërbime për të cilat pacientët detyrohen të shkojnë jashtë Kosovës. Edhe më tutje numrin më të madh të shërbimeve që i dërgojmë jashtë vendit janë sëmundjet malinje, pra sëmundjet e kancerit sidomos ato të gjakut që i quajmë hematologjike por jo të organeve solide dhe në të ardhmen aty duhen investime shumë më të mëdha dhe investime afatgjate që besoj që me një strategji të mirëfilltë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë edhe aty mund të bëhen projekte për rezultate, por sigurisht që janë investime shumë me afatgjate nuk bëhen fjalë për 1 apo 2 vjet”, theksoi Krasniqi.

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve të Kosovës e sheh shumë shqetësues që me kalimin e viteve po rritet numri i pacientëve që po detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendit.

Kryetari i kësaj shoqate, Besim Kodra, kërkon një reformim në sistemin shëndetësor dhe plotësimit të kushteve mjekësore të institucioneve shëndetësore publike për të ofruar shërbimet e nevojshme për pacientët.

“Fatkeqësisht në Kosovë ka një listë të gjerë të shërbimeve që nuk kryhen dhe problem tjetër është që ne ende nuk kemi një listë të shërbimeve që kryhen në Kosovë dhe nuk kryhen. Sistemi shëndetësor, kur mungon një aparaturë, kur prishet një aparaturë, ndikon edhe në kërkesat e pacientëve jashtë vendit dhe këtyre shumë shpesh iu bëhet e padrejtë për shkak se me udhëzim administrativ thuhet se kjo sëmundje trajtohet në Kosovës. Problemi qëndron se rritja e kërkesave të pacientëve ka ndikuar që edhe Fondi për Sigurime Shëndetësore, Fondi për trajtim jashtë institucioneve publike të futet në borxhe për t’u dhënë subvencione pacientëve që po kërkojnë këtë. Ne konsiderojmë se duhet një reformim i sistemit shëndetësor, plotësimi i kushteve të institucioneve shëndetësore për të ofruar shërbimet e nevojshme për pacientët në mënyrë që të reduktohet numri i pacientëve të cilët kanë nevojë për trajtim jashtë vendit”, u shpreh Kodra.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku thekson se krahas investimeve në infrastrukturën mjekësore nevojiten edhe intervenime në aspektin legjislativ për të zvogëluar numrin e atyre që po kërkojnë trajtim jashtë vendit.

Kollçaku, e cila vjen nga partia në pushtet, shprehet se janë shumë të interesuar që të rrisin gamën e shërbimeve në institucionet publike shëndetësore, pasi ajo vlerëson se Kosova ka staf mjekësor për t’i ofruar shumë shërbime të cilët qytetarët po duhet t’i marrin jashtë vendit.

“Mendoj që mundësitë i kemi sepse kemi staf, kemi profesionistë shëndetësorë edhe të shkolluar dhe trajnuar që për momentin nuk ofrohen, por që duhet të investohet në këto shërbime. Në anën tjetër është e qartë se duhet edhe kompletimi edhe i infrastrukturës ligjore siç është transplantimi i veshkës që tashmë në botë është një shërbim që ofrohet pa ndonjë komplikim më tutje, dhe nuk është ndonjë problem që nuk do mund të trajtohej në vendin tonë, nevojitet fillimisht Ligji për shëndetësi do e rregullojë edhe këtë problematik. Të rregullohet fillimisht infrastruktura ligjore e pastaj infrastruktura me aparaturë me krijimin dhe ofrimin e shërbimit, pra çka nevojitet që të harmonizohet prej kompletimit të legjislacionit e deri tek pajisja e institucioneve siç janë Qendra Klinike Universitare që të fillojnë disa shërbime të ofrohen për të cilat qytetarët kanë tepër nevojë“, tha ajo.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreShëndetësi