Mbi 1 mijë vdekje nga Coronavirusi në ShBA, një numër rekord fëmijësh të shtruar në spitale

Më shumë se 1 mijë viktima në një ditë, apo 42 të vdekur në orë. Shifrat që vijnë nga Shtetet e Bashkuara flasin për një përshkallëzim të situatës pandemike, ndërsa varianti Delta vijon të pushtojë zonat me nivel të ulët të vaksinimit.

Vdekjet nga koronavirusi janë rritur gjatë muajit të fundit, duke arritur në një mesatare prej 769 jetësh të humbura në ditë, më e larta që prej mesit të prillit.

Administrata e presidentit Joe Biden konfirmoi se planifikon të bëjë të detyrueshme mbajtjen e maskës në avionë, trenë, autobusë, aeroporte dhe stacione treni deri në mesin e janarit.

Çikago rikthen maskën me detyrim në të gjitha ambientet e mbyllura.

Autoritetet po përshpejtojnë ritmin e vaksinimit përballë kërcënimit në rritje, dhe nga mesi i shtatorit mendojnë të nisin aplikimin e dozës përforcuese të vaksinës tek popullsia më e rrezikuar.

Ndërsa qeveritë dhe bizneset ofruan fillimisht para apo shpërblime për ata që do të vaksinoheshin, rritja e rasteve ka detyruar disa kompani dhe shtete të bëjnë të detyrueshëm vaksinimin për qytetarët nëse duan të mbajnë vendin e punës e të mos përballen me testime rutinë.

Por pavarësisht kësaj, shtrimet në spital janë rritur me 70 për qind gjatë 2 javëve të fundit, ndërsa vihet re trendi i pacientëve të rinj në moshë.

Fatkeqësisht edhe fëmijët nuk po i shpëtojnë variantit Delta dhe 1838 të tillë regjistrohen si të hospitalizuar rreth Amerikës. I prekur nga koronavirusi edhe guvernatori i Teksasit, Greg Abott, i cili nuk ka shfaqur ende simptoma.

Kategoritë
BotaLajme