Mbi 100 afganë u larguan nga Kosova drejt SHBA-së

“Faleminderit Kosovë për bujarinë dhe mikpritjen tuaj”, shkroi Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë ka bërë të ditur se mbi 100 shtetas afganë të cilët kanë qenë duke qëndruar përkohësisht në Kosovë, janë nisur drejt SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet rrjeteve sociale, ambasada e SHBA-së ka falënderuar Kosovën për bujarinë dhe mikpritjen e shtetasve afganë.

“Mëngjesin e sotëm, fluturimi i katërt u nis nga Kosova me mbi 100 afganë të cilët së shpejti do të fillojnë një jetë të re në SHBA. Faleminderit Kosovë për bujarinë dhe mikpritjen tuaj”, thuhet në postimin e ambasadës.

Gjatë vizitës së saj në Kosovë, edhe zv/ndihmëssekretarja në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Molly Montgomery, falënderoi kosovarët për pritjen e përkohshme të afganëve si dhe ekipin e ambasadës të cilët “punuan pa u lodhur për t’i mbajtur mysafirët afganë rehat dhe duke ua plotësuar kërkesat”.

Qeveria e Kosovës më 16 gusht ka miratuar kërkesën që i është bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Shtetasit afganë të cilët erdhën në Kosovë ishin punëtorë të aleatëve të NATO-s për të cilët, presidentja kosovare Vjosa Osmani, tha se “kanë nevojë për mbrojtje më shumë sesa kurrë”.

Në grupet e të ardhurve nga Afganistani kishte burra gra dhe fëmijë të moshave të ndryshme. Ata u vendosen në ish-kampin e Bechtel-Enka i cili ndodhet përballë bazës ushtarake amerikane “Bondsteel” në qytetin e Ferizajt.

Kategoritë
BotaLajme