Mbi 20 viktima nga flakët në Tetovë, Meta: Ngjarje e rëndë dhe tronditëse

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka ngushëlluar familjarët e viktimave nga tragjedia që ndodhi mbrëmjen e sotme në spitalin e Tetovës, që u përfshi nga flakët.

“Me shqetësim dhe trishtim të thellë po përcjell tragjedinë e ndodhur në spitalin e Tetovës. Një ngjarje tepër e rëndë dhe tronditëse, veçanërisht për numrin e viktimave të raportuara! Shpreh ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura dhe ndaj dhembjen e madhe me familjarët e tyre.

Ju uroj shërimin sa më parë të lënduarve! Shpreh solidaritetin e plotë me autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, që po bëjnë përpjekje maksimale për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe vënë nën kontroll situatën. Mendimet dhe lutjet e mia janë me Tetovën” shkruan Meta.

Gazeta Koha raporton se deri më tani dyshohet për të paktën 20 viktima, mes të cilëve mjekë dhe pacientë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

Pjesa e spitalit ku ka qenë të shtruar pacientët me COVID është djegur plotësisht ndërkohë forcat zjarrfikëse kanë mundur të shuajnë flakët pas të paktën një orë betejë./

Kategoritë
LajmeRajoni