Mbi 250 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit të administruara në BE deri më tani

Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit të BE-së, vuri në dukje se po përparojnë drejt qëllimit të vaksinimit të 70 për qind të popullsisë së rritur në vendet e BE-së deri në korrik

Numri i dozave të vaksinave të administruara kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) ka shkuar në mbi 250 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit të BE-së, njoftoi në një postim në rrjetet sociale se sasia e dozave të administruara në vendet e BE-së me një popullsi prej afërsisht 450 milionësh ka tejkaluar shifrën 250 milionë.

Von der Leyen deklaroi se që nga fillimi i vitit, kur filluan vaksinimet në BE, numri i personave që kanë marrë të dyja dozat ka arritur në 80 milionë.

Ajo vuri në dukje se ata po përparojnë drejt qëllimit të vaksinimit të 70 për qind të popullsisë së rritur në vendet e BE-së deri në korrik.

Administrata e BE-së synon të vaksinojë të rinjtë në muajt e vjeshtës pas miratimit të vaksinës BioNTech-Pfizer për grupmoshën 12-15 vjeç.

Deri më sot, BE-ja ka arritur marrëveshje me BioNTech-Pfizer për 2,4 miliardë doza, AstraZeneca 400 milionë doza, Sanofi-GSK 300 milionë doza, Johnson & Johnson 400 milionë doza, CureVac 405 milionë doza dhe Moderna 460 milionë doza.

Ndër vaksinat e aprovuara deri më tani në vendet e BE-së, kryesisht përdoren BioNTech-Pfizer, si dhe AstraZeneca, Moderna dhe Johnson &​​​​​​​ Johnson.

Kategoritë
BotaLajme