Mblodhi fletët e votimit në tokë, Rama: Mjedisi s’është i majtë apo i djathtë

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar gjestin në Kuvend për pastrimin e letrave të hedhura në tokë nga deputetët e PD, si një respekt ndaj mjedisit. Rama shprehet se mjedisi nuk është as i majtë dhe as i djathtë. Ai shton se hedhja e mbeturinave në tokë nuk është as mesazh politik dhe as gjest civil apo shprehje njerzillëku.

“Mjedisi nuk është as i majtë as i djathtë dhe respekti për mjedisin është në radhë të parë respekt për veten, për njëri-tjetrin, për fëmijët tanë.

Hedhja e mbeturinave përtokë mu në dyshemenë e Kuvendit, kur njerëzit ndjekin ditën e parë në punë të përfaqësuesve të tyre, nuk është as mesazh politik, as gjest civil, as shprehje njerzillëku”, shkruan Rama.

Rama u ngrit në këmbë në momentin e votimit dhe me një qese në dorë mblodhi fletët e votimit të demokratëve, të cilët pasi i grisën i hodhën në tokë si shenjë proteste për propozimin e Lindita Nikollës nga ana e maxhorancës.

Kategoritë
LajmeRajoni