Mbretëresha Elizabeth pranon këshillën mjekësore, anulon udhëtimin në Irlandën e Veriut

Pallati Buckingham thotë se Mbretëresha Elizabeth II ka pranuar me hezitim këshillën mjekësore që të pushojë për disa ditë

Mbretëresha Elizabeth II ka pranuar me hezitim këshillën mjekësore që të pushojë për disa ditë, duke anuluar udhëtimin e saj në Irlandën e Veriut, njoftoi sot Pallati Buckingham, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pallati nuk dha detaje mbi vendimin, por shtoi se mbretëresha 95-vjeçare është “në humor të mirë dhe është e zhgënjyer që nuk do të jetë në gjendje të vizitojë Irlandën e Veriut, ku duhej të ndërmerrte një seri angazhimesh” të mërkurën dhe të enjten.

Më tej theksohet se ajo “dërgon përshëndetjet më të përzemërta për popullin e Irlandës Veriore dhe mezi pret të vizitojë vendin në të ardhmen”.

Vendimi vjen vetëm disa ditë pasi Elizabeth u pa duke përdorur një shkop gjatë një ngjarje të madhe publike ku po merrte pjesë në Westminster Abbey që shënonte njëqind vjetorin e Legjionit Mbretëror Britanik, një organizatë bamirësie e forcave të armatosura.

Ajo ishte fotografuar më parë duke përdorur një shkop në 2003, por kjo ndodhi pasi ajo iu nënshtrua një operacioni në gju.

Kategoritë
BotaLajme