Mbretëri e Bashkuar – Boris Johnson shpreh keqardhje për deklaratat e tij islamofobe të mëparshme

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, shprehu keqardhje për lëndimin dhe pakënaqësinë e shkaktuar nga deklaratat që ai ka përdorur në të kaluarën për gratë myslimane.

Boris Johnson bëri deklarata në lidhje me raportin që përmbledh rezultatet e hetimit të kryer nën drejtimin e prof. dr. Swaran Singh nga Universiteti “Warwick”, i cili zbuloi përmasat e diskriminimit dhe islamofibisë në Partinë Konservatore.

“Unë e di që ka pakënaqësi kundrejt atyre që kam thënë. Njerëzit presin që dikush në pozicionin tim t’i bëjë gjërat për së mbari, por ju duhet ta përdorni gjuhën lirshëm në gazetari. Më vjen keq me të vërtetë për çdo pakënaqësi të shkaktuar nga kjo. A do ta përdorja sot një pjesë të gjuhës shqetësuese në artikujt e mi të së shkuarës? Tani që jam kryeministër, nuk e përdor”, tha ai lidhur me deklaratat në një artikull të shkruar prej tij në vitin 2018 për gazetën britanike “The Telegraph”, ku ai i thoshte se gratë myslimane të veshura me ferexhe dukeshin si “grabitës banke” dhe “kuti postare”.

Ai argumentoi se artikulli i tij ishte një mbrojtje liberale e së drejtës së një gruaje myslimane për të zgjedhur veshjen e saj.

Grupi antiracist “Hope Not Hate” (Shpresë, jo urrejtje) i përshkroi fjalët e shefit të Londrës zyrtare si “hipokrite dhe shtinjake”.

Në raportin që përmbledh rezultatet e hetimit të drejtuar nga prof. Singh, theksohet se Partia Konservatore ka regjistruar gjithsej 1.418 ankesa në lidhje me 727 raste të diskriminimit mes viteve 2015-2020 dhe 2/3 e këtyre ankesave kishin të bënin me islamofobinë, ndërkohë që 3/4 e ngjarjeve në bazën e të dhënave të ankesave kishin të bënin me aktivitetet e kësaj force politike në median sociale.

“Mendimi islamofob mbetet një problem brenda partisë. Ai dëmton partinë dhe tjetërson një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë”, thuhet mes të tjerash në raportin e sipërcituar.

Kategoritë
BotaLajme