Mbretëria e Bashkuar nderon pilotin e Formula 1 Hamilton me titullin e kalorësit

Shtatë herë kampioni i botës në F1 mori titullin ‘Kalorës’ nga Princi i Uellsit në ceremoninë e sotme emëruese të mbajtur në Kështjellën Windsor, tha Familja Mbretërore Britanike

Shtatë herë kampioni i Formula 1, Sir Lewis Hamilton, u shpall kalorës nga Princi i Uellsit sot për shërbimin e tij në botën e motosporteve, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ngrihu Sir Lewis Hamilton! Shtatë herë kampioni i botës në F1 mori titullin ‘Kalorës’ nga Princi i Uellsit në ceremoninë e sotme emëruese të mbajtur në Kështjellën Windsor”, tha Familja Mbretërore Britanike në Twitter.

Hamilton i skuadrës së Mercedesit, 36 vjeç, humbi titullin e tetë rekord të Formula 1 më 12 dhjetor, pasi piloti holandez i Red Bull Racing Honda, Max Verstappen, u bë kampion për herë të parë në garën e fundit të sezonit, Çmimin e Madh të Abu Dhabit.

Verstappen kaloi Hamiltonin në xhiron e fundit për të marrë fitoren në Abu Dhabi dhe titullin e botës për vitin 2021.

Hamilton, i cili fitoi kampionatin e tij të parë në Formula 1 në vitin 2008, u nderua me titullin e Urdhrit të Perandorisë Britanike në të njëjtin vit.

Kategoritë
BotaLajme