Me dokumente të falsifikuara u paraqit si biznismen përfitoi nga fondi i ndihmave për bizneset të prekura nga Covid

Një person në shtetin e Floridës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është akuzuar se ka planifikuar një mashtrim prej 4,2 milionë dollarësh duke bërë aplikime të rreme në fondin e ndihmës qeveritare kundër llojit të ri të koronavirusit (COVID-19).

Çështja në fjalë po zhvillohet në Gjykatën Federale, ku i pandehuri 27-vjeçar Valesky Barosy dhe bashkëpunëtorët e tij u akuzuan për mashtrim të fondit të ndihmës qeveritare kundër COVID-19.

Valesky Barosy u akuzua për planifikimin e 5 mashtrimeve elektronike, 3 të pastrimit të parave dhe 1 vjedhjeje të identitetit, vepër penale e rëndë, në pagesat e bëra nga qeveria për të mbështetur viktimat e pandemisë nëpërmjet fondit të ndihmës kundër COVID-19. Nëse i pandehuri shpallet fajtor nga Gjykata Federale, ai mund të përballet me 132 vjet heqje lirie.

Sipas padisë së paraqitur në gjykatë, Barosy dhe bashkëpunëtorët e tij kanë paraqitur kërkesa të rreme për hua duke kërkuar një kredi prej 4,2 milionë dollarësh nga Programi i Mbrojtjes së Pagave (PPP).

Hetuesit pretenduan se Barosy kishte paraqitur formularë tatimorë të rremë duke falsifikuar shpenzimet, të ardhurat neto dhe borderonë e rrogave të vitit të kaluar.

“Barosy dhe bashkëpunëtorët e tij morën rreth 2,1 milionë dollarë kredi nga skema mashtruese. Ai i përdori paratë për të blerë një makinë «Lamborghini Huracan EVO», ora «Rolex» dhe «Hublot» dhe veshje nga stilistë të famshëm si «Louis Vuitton», «Gucci» dhe «Chanel»”, thanë prokurorët.

Programi për Mbrojtjen e Pagave është pjesë e një fondi ndihmash prej shumë miliardë dollarësh të krijuar për të mbështetur bizneset e vogla që luftojnë me pandeminë COVID-19 në Shtetet e Bashkuara.

Kategoritë
BotaLajme