Mediat e Beogradit për takimin Kosovë-Serbi: Pala serbe po insiston për Asosacionin

Mediat serbe kanë raportuar se delegacioni i Serbisë ka përfunduar bisedimet me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Sipas “Tanjug”, bisedimet do të vazhdojnë pasdite, por nuk dihet në cilin format dhe nëse pala nga Kosova do të jetë në të njëjtën tavolinë, transmeton lajmi.net.

Takimi mes Lajçak dhe kreun e delegacionit serb, Petar Petkoviq, ka zgjatur një orë më shumë se që ishte planifikuar, teksa mediat serbe kanë konfirmuar se çështja e parë e paraqitur nga delegacioni serb ishte formimi i Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne kemi ardhur për të biseduar dhe jemi absolutisht të gatshëm të bisedojmë me Prishtinën. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu. Tani konstruktiviteti i tyre është në test dhe nëse bisedimet e drejtpërdrejta do të zhvillohen tani varet ekskluzivisht nga Prishtina. Ne erdhëm në Bruksel pas thirrjes së BE-së për të diskutuar për Asociacionin, siç është paralajmëruar në deklaratën e BE-së të datës 30 shtator”, tha delegacioni i Beogradit.

Derisa nga Qeveria e Kosovës nuk është dhënë ndonjë informatë për takimin e sotëm, mediat serbe po raportojnë se delegacioni i Kosovës aktualisht është në takim me ndërmjetësuesit e BE-së dhe nga rezultati i asaj bisede varet nëse do të ketë një takim trepalësh pasdite apo nëse bisedimet do të vazhdojnë në mënyrë bilaterale.

Kategoritë
LajmeRajoni