MEE: Kryeministri i Tunizisë u rrah për të dhënë dorëheqje

Kryeministri Mechichi iu nënshtrua dhunës fizike për të braktisur detyrën e tij, tha gazeta Middle East Eye

Kryeministri i Tunizisë, Hichem Mechichi, i cili u shkarkua nga detyra e tij, u rrah për të dhënë dorëheqjen përpara përpjekjes për grusht shteti më 25 korrik, shkroi gazeta Middle East Eye (MEE), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas gazetës me qendër në Britani, një burim pranë Mechichi-t ka folur për atë që ka ndodhur në Pallatin e Kartagjenës para vendimit të presidentit Kais Saied për të shkarkuar kryeministrin dhe ngrirë të gjitha kompetencat e parlamentit.

Sipas informacionit të siguruar nga burimi i lajmit, 47-vjeçari Mechichi iu nënshtrua dhunës fizike për të braktisur detyrën e tij, dhe si rezultat, në fytyrën e tij kishte shenja të goditjeve.

Siç thuhet, shenjat në fytyrën e tij janë shkaku që Mechichi nuk është shfaqur para kamerave ose publikut pas tentativës për grusht shteti.

Burimi në fjalë ka deklaruar se ushtria, dhe jo rojet e pallatit, morën pjesë në planin e sulmit kundër kryeministrit Mechichi, dhe ka pohuar se kur kryeministri nuk pranoi të jepte dorëheqjen, filluan goditjet.

Përveç kësaj, sipas informacionit të siguruar nga MEE, të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë egjiptianë të sigurisë me presidentin Saied para përpjekjes për grusht shteti, të cilët e kanë këshilluar atë për mënyrën e organizimit të operacionit.

Faqja e lajmeve vuri në dukje se nuk është e qartë se çfarë roli kanë pasur autoritetet egjiptiane në incidentin me Mechichi-n.

MEE më 24 maj kishte shkruar se në Tunizi po bëheshin përgatitje për një grusht shteti, duke publikuar disa dokumente të siguruara.

Ndryshe, më 25 korrik, pas protestave të qindra personave kundër partive politike të pozitës dhe opozitës, në të cilat kishte edhe incidente dhe sulme ndaj selive të partive, përfshirë Lëvizjen Ennahda, presidenti Saied ngriu kompetencat e parlamentit dhe shkarkoi kryeministrin.

Ai po ashtu u vetëshpall kryeprokuror.

Kryeparlamentari dhe kryetari i Lëvizjes Ennahda, Rached Ghannouchi, e ka quajtur vendimin e presidentit si “grusht shteti”.

Ndërkaq, Saied ka pohuar se vendimi i tij është në përputhje me kushtetutën.

Kategoritë
BotaLajme