Mehmeti: Bashkëqeverisja dhe transparenca janë dy elementet thelbësore në programin tonë

Bashkqeverisje dhe transparencë, ka premtuar kandidati i AKR-së për kryetar të komunës së Prishtinës, Gëzim Mehmeti, para banorëve të Kolovicës

Duke kërkuar besimin e qytetarëve të Kolovicës, Mehmeti u ka premtuar ndërtimin e dy çerdheve në këtë vend, teksa ka thënë se ka një ekip të mrekullueshëm.

“Janë njerëz që iu përfaqësojnë juve. Prishtina është një vend që duhet me dashtë. Ne në programin tonë do të japim dy zotime. Një çerdhe tek Bunari i Hajratit dhe tjetra në fund të rrugës “Shkëlzen Haradinaj”. Këto janë dy zotime që do t’i realizojmë brenda një vitit e gjysmë”.

Tutje, kandidati i AKR-së, ka thënë se bashkëqeverisja dhe transparenca janë dy elemente thelbësore në programin e tyre.

“Çdo gjë është e bazua në kërkesa të qytetarëve të Prishtinës. Bashkëqeverisja dhe transparenca janë dy elemente thelbësore në programin tonë. Poashtu edhe teknologjia informative do të jetë e ardhmja e qyteteve. Dje kemi paraqitur punimet ne katër vitet e ardhshme. Çështja e konkurrimit në pushtetin lokal. E kemi menduar në teknologji informative. Ne kemi paraparë qendër monitoruese në komunën e Prishtinës, ku do të jem unë, shoqëria civile, qytetari, mediat. Ai që është më i miri e që është i Prishtinës ka me u punsu”, ka thënë ai.

E Besnik Bahtiri, kandidat për kuvend komunal, ka thënë se me shumë dëshirë i është bashkuar AKR-së.

“Zakonisht kjo pjesë e Kolovicës ka qenë pak e përfaqësime në kuvend komunal,  dhe kërkoj të na jepni mundësinë të avancojmë zonën tonë”, u shpreh ai.

Kategoritë
LajmeVendi