Mes fitoresh të vjetra dhe disfatës së nëntorit, rrugëtimi politik i Lutës së Gjilanit

Derisa nuk ishin shfaqur rezultatet e para të Exit-Polleve dhe më pas edhe ato të KQZ-së për raundin e parë për zgjedhjet lokale në Komunën e Gjilanit, pak kush e kishte besuar se i riu i Vetëvendosjes, Alban Hyseni, do të arrinte që ta sfidonte seriozisht, Lutfi Hazirin, një prej politikanëve më me ndikim në qytetin e tij të lindjes dhe jo vetëm. Por cili është rrugëtimi i Hazirit në politikë dhe si erdhi deri tek disfata e tij në vjeshtën e këtij viti.

Lutfi Haziri pas dy mandateve radhazi si kryetar i Gjilanit, s’arriti të fitojë në balotazhin e së dielës. Lutfi Haziri ishte kryetari më i ri në historinë e Kosovës, kur në vitin 2000 e kishte marrë drejtimin e komunës së Gjilanit kur ishte vetëm 31 vjeç, shkruan Gazeta Express.

Pas 21 vjetësh, Haziri si njëri nga politikanët më të etabluar të Anamoravës, s’arriti të fitojë përballë kundërkandidatit të Vetëvendosjes, Alban Hyseni (31 vjeç) , i cili do të qeverisë tash e tutje me Gjilanin. Një përballje që tejkalonte dy kandidatët, meqë Haziri thoshte se kundërkandidat e ka Albin Kurtin.

Lutfi Haziri i është bashkuar LDK-së nga viti 1990, kur edhe ishte zgjedhur kryetar i Forumit Rinor të LDK-së në Gjilan.

Ai udhëhoqi Gjilanin nga viti 2000 deri në vitin 2004. Në vitin 2004 ai u zgjodh ministër i Pushtetit dhe Administrimit Lokal si dhe anëtar i kryesisë së LDK-së.

Më 8 mars 2006, Lutfi Haziri ishte zgjedhur zëvendëskryeministër i Kosovës.

Në vitin 2007 ai ishte zgjedhur deputet i Legjislaturës së tretë të Kuvendit të Kosovës deri në vitin 2010.

Ai kandidoi sërish në listën për deputet në zgjedhjet e vitit 2010 nga radhët e LDK-së dhe ishte në mesin e 5-shes më të votuar.

Pas disa viteve në qeveri e kuvend, Haziri i rikthehet sërish qytetit të tij të lindjes, Gjilanit, për ta sfiduar PDK-në në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Haziri në këto zgjedhje fiton në rundin e parë me 60% të votave dhe rizgjedhet edhe njëherë kryetar i Gjilanit.

Nënkryetari i LDK-së, i fitoi zgjedhjet sërish në vitin 2017 poashtu në raundin e parë përballë kandidatit të VV-së, Sami Kurteshi.

Haziri ia mësyu që të qeverisë me Gjilanin për të tretën herë radhazi, por pas balotazhit nuk arriti të fitojë.

Në rundin e parë Haziri mori 18 mijë e 564 vota apo 43,51% ndërkaq Hyseni i VV-së kishte marrë 19 mijë e 57 vota apo 44,71%

Pas balotazhit të 14 nëntorit Hyseni vulosi fitoren pasi fitoi me 51,10% apo 21 mijë e 800 vota, ndërkaq Haziri arriti të fitojë 48,90% apo 20 mijë e 865 vota.

Pas humbjes, Haziri ka paralajmëruar një Kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor të degës së LDK-së në Gjilan brenda 90 ditëve të ardhshme.

Kategoritë
LajmeVendi