Mes tensioneve në Gadishullin Korean, SHBA-ja tregon “muskujt” në Detin Lindor

Anijet e udhëhequra nga USS Abraham Lincoln me energji bërthamore shihen për herë të parë që nga viti 2017 në ujërat ndërkombëtare pranë Koresë së Jugut.

Aeroplanmbajtësja amerikane me energji bërthamore ka hyrë sot në Detin Lindor mes tensioneve në rritje në Gadishullin Korean, raportuan mediat lokale.

Anija sulmuese USS Abraham Lincoln u pa në ujërat ndërkombëtare të Detit Lindor pranë qytetit juglindor Ulsan të Koresë së Jugut pas testeve të fundit të raketave të Koresë së Veriut, raportoi Agjencia e Lajmeve Yonhap.

Kjo erdhi përpara se Pheniani të festonte 110-vjetorin e lindjes së liderit të saj të ndjerë dhe themeluesit Kim Il-sung të premten, së bashku me përvjetorin e Ushtrisë Revolucionare Popullore të Koresë së Veriut.

Aeroplanmbajtësja pritet të qëndrojë në Detin Lindor për ditët e ardhshme, raportoi agjencia, duke cituar “burime të informuara”.

Kjo është hera e parë në pesë vjet që SHBA-ja dërgon një aeroplanmbajtëse me energji bërthamore në Detin Lindor.

Koreja e Jugut është një aleat i rëndësishëm i Washingtonit, ku mijëra trupa amerikane janë stacionuar në Seul sipas një marrëveshjeje sigurie midis dy vendeve.

Tensionet janë rritur në Gadishullin Korean pasi veriu dhe jugu kryejnë stërvitje të shpeshta ushtarake në një shfaqje të fuqisë ushtarake.

Vetëm këtë vit, Koreja e Veriut ka kryer më shumë se 10 teste raketore, përfshirë atë të raketës hipersonike të sapo zhvilluar.

Kategoritë
BotaLajme