Ministrat e jashtëm të Turqisë dhe Armenisë mbajnë takim “të frytshëm dhe konstruktiv”

Ministri Çavuşoğlu gjithashtu vuri në dukje se Azerbajxhani mbështet procesin e normalizimit midis Ankarasë dhe Jerevanit.

Një takim historik dypalësh u zhvillua sot midis ministrave të jashtëm të Turqisë dhe Armenisë në margjinat e Forumit të Diplomacisë në Antalya, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për gazetarët, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu e përshkroi takimin me homologun e tij armen Ararat Mirzoyan si “jashtëzakonisht të frytshëm dhe konstruktiv”.

Çavuşoğlu gjithashtu vuri në dukje se Azerbajxhani mbështet procesin e normalizimit midis Ankarasë dhe Jerevanit.

Nga ana e tij, ministri armen tha se vendi i tij është i vendosur të përkushtojë përpjekjet për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se po punon për normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë.

Marrëdhëniet turko-armene hynë në një fazë të re pasi të dy vendet caktuan përfaqësues të posaçëm, të cilët zhvilluan takimin e tyre të parë më 14 janar në Moskë.

Të dërguarit nga Turqia dhe Armenia, Serdar Kılıç dhe Ruben Rubinyan, mbajtën takimin e tyre të dytë në Vjenë më 24 shkurt dhe “përsëritën dakordësinë e tyre për të vazhduar procesin pa parakushte”.

Forumi treditor i diplomacisë së nivelit të lartë në provincën turistike Antalya në Turqinë jugore ka mbledhur pjesëmarrës nga 75 vende, duke përfshirë 17 krerë shtetesh, 80 ministra dhe 39 përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Anadolu Agency është partneri global i komunikimit i forumit.

Kategoritë
BotaLajme