Ministrat e Mbrojtjes së Turqisë dhe Rusisë diskutojnë luftën në Ukrainë

Gjatë bisedës telefonike, Akar theksoi rëndësinë e ofrimit të mbështetjes për arritjen e sigurt të anijeve civile që presin në portet ruse për të shkuar në Turqi dhe hapjen e një korridori humanitar për evakuime.

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare i Turqisë, Hulusi Akar, në një bisedë telefonike me homologun e tij rus Sergei Shoigu diskutoi zhvillimet e fundit në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, thuhet se gjatë bisedës telefonike, Akar theksoi rëndësinë e ofrimit të mbështetjes për arritjen e sigurt të anijeve civile që presin në portet ruse për të shkuar në Turqi dhe hapjen e një korridori humanitar për evakuime.

Akar theksoi gjithashtu nevojën për një armëpushim urgjent në Ukrainë për të parandaluar humbjet e mëtejshme të jetëve në luftën që vazhdon mbi dy javë.

Ai përsëriti gjithashtu se Turqia po përpiqet të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes për ndihmë humanitare dhe është e gatshme të vazhdojë të bëjë pjesën e saj për të siguruar paqen në rajon.

Që kur Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës më 24 shkurt, më shumë se 2,5 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, ndërsa rreth 2 milionë të tjerë janë të zhvendosur brenda vendit.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 564 civilë janë vrarë dhe 982 të tjerë janë plagosur në Ukrainë.

Përderisa BE-ja, SHBA-ja dhe vende të tjera kanë vendosur sanksione ndaj Moskës, shumë kompani dhe marka globale kanë pezulluar gjithashtu operacionet në Rusi.

Kategoritë
BotaLajme