Ministri gjerman i Shëndetësisë: Situata me COVID-19 është serioze

Ministri Spahn kërkoi që të ashpërsohen masat dhe që në aktivitete publike të hyjnë vetëm ata që janë të vaksinuar dhe ata që kanë një test negativ pas shërimit nga COVID-19

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha se situata është e rëndë në vend për shkak të rritjes së rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Berlin me kryetarin e Institutit Robert Koch (RKI), Lothar Wieler, ministri Spahn vuri në dukje se rastet me COVID-19 po përhapen me shpejtësi dhe se numri i rasteve të reja të regjistruara në 100 mijë persona në javë është rritur në mbi 260.

Spahn tha se mos marrja e masave do të shkaktojë që shifra javore e rasteve të dyfishohet, duke shtuar se “situata është serioze. Rekomandoj që ta marrim seriozisht këtë”.

Kapacitetet në njësitë e kujdesit intensiv nëpër spitalet në rajonet Saksionia, Tyringia dhe Bavaria kanë ardhur drejt fundit, tha Spahn, duke shtuar se synojnë të parandalojnë tejkalimin e kapaciteteve në kujdeset intensive.

Duke kërkuar që të merren me shpejtësi masat e nevojshme për të ndaluar këto zhvillime me pandeminë, Spahn vlerësoi se “në të kundërt do të jetë një dhjetor i dhimbshëm”.

Spahn kërkoi që të ashpërsohen masat dhe që në aktivitete publike të hyjnë vetëm ata që janë të vaksinuar dhe ata që kanë një test negativ pas shërimit nga COVID-19.

Duke njoftuar se testet e shpejta të antigjenit për COVID-19 do të jenë sërish falas në luftën kundër pandemisë, Spahn, vuri theksin se rregulloren lidhur me këtë do ta nënshkruajë sot dhe do të hyjnë në fuqi nesër.

Spahn shtoi se në luftën me pandeminë është e rëndësishme takimi që kancelarja Angela Merkel do të zhvillojë me kryeministrat e rajoneve javën e ardhshme për të marrë masat e përbashkëta në të gjithë vendin.

Edhe kreu i RKI-së, Wieler, i bëri thirrje popullit që pakësojnë kontaktet, të vaksinohen dhe të zbatojnë masat kundër COVID-19.

Wieler rekomandoi pakësimin e numrit të personave në aktivitetet e përmasave të mëdha ose ndalimin e këtyre aktiviteteve.

Kategoritë
BotaLajme