Ministri i Jashtëm palestinez në OKB: Izraeli synon të “mbjellë farat e terrorit”

“Nuk pretendon se ishte një gabim. As nuk kërkon falje. Përkundrazi, po rikonfirmon se është e drejta e tij të kryejë këto krime, të vrasë njerëz të pafajshëm dhe po fajëson viktimën”, tha kryediplomati palestinez

Ministri i Jashtëm palestinez Riyad al-Maliki kundërshtoi ashpër deklaratat se Izraeli po mbron veten përmes ofensivës në Rripin e Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në lidhje me krizën midis Izraelit dhe Palestinës, al-Maliki tha se Izraeli “po shënjestron familjet ndërsa ata flenë, për të mbjellë farat e terrorit midis njerëzve tanë”.

“Nuk pretendon se ishte një gabim. As nuk kërkon falje. Përkundrazi, po rikonfirmon se është e drejta e tij të kryejë këto krime, të vrasë njerëz të pafajshëm dhe po fajëson viktimën”, tha ai.

Deri më tani, të paktën 230 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, dhe mbi 1.700 të tjerë janë plagosur, në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 10 maji, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë me bazë në Gaza.

Dymbëdhjetë njerëz janë vrarë në Izrael për shkak të gjuajtjes me raketa palestineze nga Gaza, duke përfshirë dy fëmijë.

Maliki hodhi poshtë deklaratat se Izraeli “ka të drejtë të mbrohet” si pretekst për sulmet e tij ndaj Gazës, duke pyetur retorikisht: “Për çfarë të drejte po flisni saktësisht?”

“Izraeli është një fuqi kolonialiste. Po pushton tokën tonë. Po përndjek një popull të tërë. Izraeli do t’ju pyesë: ‘Çfarë do të kishit bërë nëse raketat do të kishin në shënjestër qytetet tuaja?’ Por Izraeli harron se pushtimi i tij është shkaku kryesor i dhunës”, tha Maliki.

“Prandaj, unë do të doja t’ju pyes: ‘Çfarë do të bënit nëse territori juaj pushtohet? Nëse njerëzit tuaj do të zhvendoseshin, nëse njerëzit tuaj do të vriteshin, arrestoheshin dhe përndiqeshin? Si mund të ketë një fuqi okupuese të drejtën të mbrojë veten kur një popull i tërë nën okupim është çmimi i së njëjtës të drejtë?’”, pyeti ai.

Maliki tha, megjithatë, se palestinezët “po punojnë për paqen”, përkundër asaj që ai e quajti “dekada të shtypjes, diskriminimit racor dhe shpërnguljes”.

“Sidoqoftë, kjo nuk mund të ndodhë në kurriz të popullit tonë dhe është e drejtë, e garantuar nga rezolutat e legjitimitetit ndërkombëtar, që t’i jepet fund okupimit kundër popullit tonë”, tha ai, duke theksuar se çdo proces paqeje duhet të rezultojë në “përfundimin e pushtimit izraelit të Palestinës dhe kryeqytetit të saj”.

Kategoritë
BotaLajme