Ministri i Mbrojtjes i Kinës vizitë në Maqedoninë e Veriut, lufta me pandeminë kërkon bashkëpunim

“Asnjë vend nuk mund të ndërtojë mure dhe të mbrojë veten nga një pandemi nëse e gjithë bota nuk mbrohet. Vetëm kur të luftojmë së bashku të njëjtin armik, do të kemi rezultate më të mira dhe më të shpejta”, tha ministrja Radmilla Shekerinska

Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, u takua me Ministrin e Mbrojtjes të Republikës Popullore të Kinës, gjeneralin Wei Fenghe, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja Shekerinska tha se takimi riafirmoi bashkëpunimin dypalësh afatgjatë në fushën e mbrojtjes, bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit të vitit 2004.

“Bashkëpunimi i mbrojtjes midis dy vendeve është veçanërisht aktiv në fushat e arsimit dhe trajnimit ushtarak, studimit të aftësive ushtarake kineze dhe sporteve ushtarake”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.

Ministrja Shekerinska falënderoi Kinën për mbështetjen e dhënë në përballimin e pasojave të pandemisë, e cila në korrik të vitit 2020 i dhuroi ushtrisë pajisje mbrojtëse mjekësore me vlerë totale prej rreth 250 mijë dollarë.

“Asnjë vend nuk mund të ndërtojë mure dhe të mbrojë veten nga një pandemi nëse e gjithë bota nuk mbrohet. Vetëm kur të luftojmë së bashku të njëjtin armik, do të kemi rezultate më të mira dhe më të shpejta”, tha ministrja Shekerinska, duke i kërkuar ministrit Fenghe që të përshpejtojë me dorëzimin e vaksinave kineze për Maqedoninë e Veriut.

Ministri kinez tha në takim se bashkëpunimi i mbrojtjes midis Kinës dhe Maqedonisë së Veriut është i mirë, por ka hapësirë ​​për forcimin e bashkëpunimit në arsimin dhe trajnimin ushtarak, menaxhimin e krizave, operacionet paqeruajtëse dhe trajnimin e forcave speciale.

“70 vende të botës kanë miratuar përdorimin e vaksinave kineze. 100 milionë njerëz janë vaksinuar në Kinë. Si një vend i përgjegjshëm, Kina dëshiron të ndihmojë në vënien nën kontroll të pandemisë”, tha ai.

Fenghe, siç thuhet në deklaratë, njoftoi se ai do të përpiqet për shpërndarjen më të shpejtë të vaksinave kineze në Maqedoninë e Veriut, si dhe mundësinë për të mbështetur Ushtrinë Maqedonase me vaksinat Kineze.

Ministri kinez i Mbrojtjes u prit edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe kryeministri Zoran Zaev.

Kategoritë
LajmeRajoni