Ministri Peleshi: Shqipëria mbështet të gjitha proceset integruese të Kosovës

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë gjatë vizitës në Kosovë tha se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet mbështetëse e pakursyer e të gjitha proceseve integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, bashkë me stafin e kësaj ministrie dhe trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pritur me ceremoni shtetërore në Prishtinë homologun e tij të Shqipërisë, Niko Peleshi, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas pritjes dhe takimit në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, ministri Mehaj në konferencën për media tha se sfidat në mjedisin e Kosovës dhe të Shqipërisë janë të njëjta, rrjedhimisht objektivat strategjike të dyja vendeve janë të përafërta.

“Duke vlerësuar lartë marrëdhëniet e shkëlqyera, vëllazërore ndërmjet dy vendeve tona, shprehim vullnetin tonë të përbashkët që këto marrëdhënie t’i ngremë në nivel edhe më të lartë me synim që të kemi një praktikë të re bashkërendimi në projektet e përbashkëta si dhe krijimin e bazës ligjore për koordinimin sa më të mirë të aktiviteteve tona ushtarake”, theksoi Mehaj.

Ministri Mehaj bëri të ditur se midis dy vendeve është nënshkruar edhe një marrëveshje e cila parasheh realizimin e aktiviteteve të përbashkët në nivel profesional midis dy ministrive; koordinimin e këshillimit nga ana e ekspertizës nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë për ndihmë në çështje politike, ushtarake, ligjore, për integrimin e Kosovës në NATO, si dhe pikë tjetër e marrëveshjes u përmendën stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe angazhimi e pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare në të ardhmen.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, pas takimi me homologun kosovar Mehaj tha se kanë nënshkruar një marrëveshje të re ku në plan janë 32 aktivitete të përbashkëta.

Ai tha se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet mbështetëse e pakursyer e të gjitha proceseve integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike.

“Ne kemi përshkuar atë rrugë të cilën Kosova e aspiron, pra, rrugën e anëtarësimit në NATO. Tani jemi prej 12 vitesh anëtar të NATO-s, kështu që, kemi eksperiencën për ta ndarë me Ministrinë e Mbrojtjes, me Forcën e Sigurisë së Kosovës për rrugën e përshkuar drejtë Aleancës më të madhe politike dhe ushtarake, pjesë e së cilës jemi”, theksoi Peleshi.

Gjithashtu, ministri Peleshi foli edhe për “Defender Europe 2021”, stërvitjen e NATO-s që është duke u zhvilluar në Durrës dhe ku po marrin pjesë Shqipëria dhe Kosova. Peleshi tha se pjesëmarrja në këtë stërvitje është mesazh i rëndësishëm për rolin e këtyre dy shteteve në rajon.

“Defender Europe 2021” është një stërvitje e përbashkët mbrojtëse shumëkombëshe e drejtuar nga Komanda në Evropë dhe ajo në Afrikë e ushtrisë së SHBA-së. Kjo stërvitje synon të ngrejë gatishmërinë dhe realizojë ndërveprimin midis ushtrisë së SHBA, NATO-s dhe ushtrive partnere, në mënyrë që bashkërisht të jenë të përgatitur për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi”, tha Peleshi.

Kategoritë
LajmeVendi