Ministri turk Ersoy merr pjesë në hapjen e konviktit të djemve në Gjirokastër të restauruar nga TIKA

Në fjalimin e tij këtu, Ersoy deklaroi se TIKA ka realizuar 532 projekte në 20 vitet e fundit.

Në qytetin e Gjirokastrës, sot u mbajt ceremonia e hapjes së Konviktit të Djemve, i cili u rinovua dhe mobilua nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoni morën pjesë ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, zëvendëskryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në rajon dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalimin e tij këtu, Ersoy deklaroi se ata ndajnë lidhje historike dhe kulturore të rrënjosura thellë me Shqipërinë, ndërsa përcolli përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe kombit turk.

Duke deklaruar se TIKA ka realizuar 532 projekte në 20 vitet e fundit që nga viti 2001, Ersoy tha: “Veçanërisht që nga viti 2004, ne i intensifikuam aktivitetet tona në kuadër të TIKA-s. Në sektorin e shëndetësisë, ne kemi realizuar 52 projekte për rinovimin e spitaleve dhe qendrave shëndetësore, mbështetjen me pajisje dhe krijimin e laboratorëve të analizave mjekësore”.

Ai vuri në dukje se Shqipëria ka më shumë se 2 mijë monumente kulturore në territorin e saj.

“Gjersa ajo ka një potencial të tillë, pa dyshim, qëllimet e vendosura në turizmin kulturor janë gjithashtu të mëdha. Ne gjithashtu vlerësojmë dhe mbështesim punën e kryer për të kontribuuar në mirëqenien e vendit dhe njerëzve duke e pasuruar turizmin me trashëgiminë e pasur të civilizimit. Qasja e ndjeshme e një burri shteti me karakter artisti si kryeministri Edi Rama dhe kolegëve të mi të vlefshëm në këtë fushë e bën bashkëpunimin tonë edhe më kuptimplotë”, deklaroi Ersoy.

Ersoy tha se restaurimet e Kalasë së Gjirokastrës dhe Xhamisë së Pazarit dhe Kullës së Sahatit kanë përfunduar dhe i janë shtuar turizmit kulturor, dhe theksoi se restaurimi i Xhamisë Ethem Beu në Tiranë do të përfundojë në gjysmën e parë të këtij viti.

Ndërkaq, projektin e rinovimit të Konviktit të Djemve në Gjirokastër Ersoy e cilësoi si pjesë e rëndësisë që i japin arsimit të të rinjve, duke falënderuar presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama, ministren e Kulturës Elva Margariti dhe ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi për punët e përbashkëta.

“Nën udhëheqjen e presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan, ne do të vazhdojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë në mënyrë që të zhvillojmë dhe forcojmë më tej marrëdhëniet dypalëshe në çdo fushë”, theksoi Ersoy.

Ndërkaq, ministrja Margariti falënderoi Turqinë për mbështetjen e ofruar gjithnjë, veçanërisht për restaurimin e konviktit në fjalë.

Ajo po ashtu shprehu falënderime për ndihmën e ofruar të Turqisë pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019 dhe tha se viti 2021 filloi me firmosjen e marrëveshjeve të rëndësishme në Ankara.

Margariti e cilësoi si shumë të rëndësishëm restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër për bashkëpunimin midis dy vendeve.

“Marrëveshjet që nënshkruam pak më parë në Shtëpinë e Zekatëve, ashtu si Ministria e Kulturës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, janë patjetër një etapë shumë e rëndësishme dhe ajo e forcimit të marrëdhënieve jo vetëm në restaurim, jo vetëm në turizëm dhe mjedis, por kemi prekur çështje nga më të gjërat, të ato të drejtave të autorit, trafikimit të veprave dhe për ne është shumë e rëndësishme që sot më 2021 kemi si partner strategjik qeverinë turke e cila na mbështet në sfidat tona të mëdha”, tha Margariti.

Margariti falënderoi agjencinë TIKA për punët e kryera.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Golemi shprehu mirënjohjen për Turqinë dhe TIKA-n për mbështetjen e ofruar për qytetin, duke shtuar se shtëpitë historike në qytet janë monumente të kulturës që kanë nevojë për ndërhyrje dhe mbështetje.

Kategoritë
LajmeRajoni