Ministri turk i Mbrojtjes: Do të vazhdojmë të jemi pranë Kosovës në kauzën e tyre të drejtë

“Ne kemi vlera të përbashkëta dhe një të kaluar historike me Kosovën. Kemi përgjegjësi ndaj popullit këtu. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë kosovarëve në kauzën e tyre të drejtë”, tha ministri turk i mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare i Turqisë, Hulusi Akar, vizitoi kryesinë e forcave turke që veprojnë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimeve të tij në kryeqytetin Prishtinë, ku ishte në kuadër të vizitës së tij zyrtare, Akar shkoi në Prizren, ku inspektoi Kryesinë e Delegacionit Turk në kuadër të KFOR-it.

Akar përshëndeti skuadrën ceremoniale me mbërritjen e tij në kazermën Sulltan Murat, ku u informua mbi aktivitetet.

Më pas, Akar u takua me ushtarët turq në kazermë, të cilët i përgëzoi për punën e suksesshme.

Ai theksoi se Forcat e Armatosura Turke kryejnë detyra shumë të rëndësishme në Kosovën miqësore dhe vëllazërore.

“Ne kemi vlera të përbashkëta dhe një të kaluar historike me Kosovën. Kemi përgjegjësi ndaj popullit këtu. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë kosovarëve në kauzën e tyre të drejtë. Ne jemi këtu për të kontribuar në çështjet e tyre të mbrojtjes dhe sigurisë, për ta bërë jetën e tyre më të lehtë këtu, me aq sa mundemi”, u shpreh shefi i mbrojtjes turke.

“Ne i ndjekim nga afër zhvillimet në Ballkan, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovën miqësore dhe vëllazërore. Rehatia, paqja dhe siguria e vëllezërve dhe motrave tona këtu na bëjnë të lumtur, në të kundërtën, ne pikëllohemi. Kemi dhënë kontributin tonë më të mirë për integrimin në institucionet euroatlantike dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen”, shtoi Akar.

Ministri Akar ua uroi vitin e ri ushtarëve turq. Pas drekës me ushtarët, Akar vizitoi edhe Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Prizren. Ai më pas shëtiti në qendrën e qytetit të Prizrenit, ku u prit me interesim nga qytetarët.

Kategoritë
LajmeVendi