Ministri turk i Mbrojtjes vizitoi Mamushën

Ministri Hulusi Akar u prit me interesim të madh të qytetarëve në Mamushë, ndërsa fillimisht vizitoi komunën ku ai u prit nga kryetari Abdulhadi Krasniç.

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, ka vizituar komunën e Mamushës në Kosovë, ku është pritur me interesim të madh të popullatës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Akar, përveç kontakteve të tij zyrtare, zhvillon edhe vizita të ndryshme në Kosovë. Ai pas vizitës së tij në kryesinë e forcave turke që veprojnë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) në Prizren, vizitoi edhe qytetin e Mamushës.

Akar u prit me interesim të madh të qytetarëve në Mamushë, ndërsa fillimisht vizitoi komunën ku ai u prit nga kryetari Abdulhadi Krasniç.

“Ne dëshirojmë që të jetoni në mënyrë të begatë në paqe dhe stabilitet. Turqia asnjëherë nuk i harroi vëllezërit kosovarë, bashkatdhetarët që jetojnë këtu. Në këto troje ndodhën shumë probleme. Shpresojmë që këto të përfundojnë plotësisht dhe jeta ekonomike të arrijë në nivele shumë më të mira”, tha Akar duke vazhduar:

“Është e rëndësishme që nga njëra anë të ruash kulturën ame, ndërsa nga ana tjetër të përshtatesh me komunitetin ku gjendesh. Do ta njohim personalitetin, identitetin tonë. Ne, turqit, do të bëjmë çmos për zhvillimin e shoqërive ku jetojmë, do të japim mbështetjen e duhur që të jetë kjo shoqëri në rehati. Kemi histori, letërsi, muzikë, folklor, do bëjmë çmos për të ruajtur këto. Këto janë shumë të rëndësishme që të rinjtë tanë t’i ruajnë lidhjet. Kosova është vendi vëlla i ynë, miku ynë, aleati ynë. Presim që vëllezërit tanë, bashkatdhetarët tanë këtu të japin çdo kontribut Kosovës në shkencë, art, ekonomi”.

Kryetari i Komunës së Mamushës, Kransiç, duke theksuar se vizita e ministrit turk, i ka bërë krenarë, tha se “Turqit e Kosovës çdo herë janë përpjekur që të luajnë një rol konstruktiv, e jo përçarës. Ne jemi turq por kosovarë. Mundohemi të bëjmë maksimumin për zhvillimin e shtetit të Kosovës”.

Vizitë në monumentin e dëshmorëve të Çanakkalasë në Mamushë.

Në fund të vizitës, Akar bisedoi edhe me qytetarët pranë ndërtesës së Komunës. “Ju jeni krenaria jonë. Puna juaj, mundi juaj gjithmonë lavdërohet. Ne shikojmë me shumë krenari sa punëtor jeni dhe kontributin tuaj në zhvillimin e Kosovës”.

Ai gjithashtu uroi vitin e ri të qytetarëve, ndërsa më pas vizitoi monumentin e dëshmorëve të Çanakkalasë dhe Shkollën e Mesme Atatürk.

“Përgjegjësia juaj është e madhe. Besoj se do të jepni kontribut të rëndësishëm për Mamushën dhe për Kosovën duke marrë një arsimim të avancuar në shkencë dhe art. Duhet ta vlerësoni këtë mundësi ashtu si për veten tuaj edhe për kombin tuaj. Kemi pritje të mëdha nga ju, prandaj keni përgjegjësi të rëndësishme”, u tha Akar nxënësve në shkollë.

Ministri Akar u dhuroi tabletë nxënësve, duke iu uruar vitin e ri.

Kategoritë
LajmeVendi