Ministrja Manastirliu takon homologun turk

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar një takim pune me ministrin e Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca, duke biseduar për modelin e ri të menaxhimit spitalor dhe bashkëpunim në shërbimin farmaceutik

Delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama ka vazhduar takimet me zyrtarët e lartë turq në ditën e dytë të vizitës në Ankara, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar një takim pune me ministrin e Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca, duke biseduar për modelin e ri të menaxhimit spitalor dhe bashkëpunim në shërbimin farmaceutik.

“Diskutuam për ecurinë e Spitalit Memorial në Fier, bashkëpunimin mes stafeve të përbashkëta dhe forcimin e shërbimeve klinike spitalore, si një bërthamë e transferimit të dijes dhe teknologjisë, e cila do të zhvillohet sipas një plani veprimi afatmesëm, për të siguruar më shumë shërbime cilësore qytetarëve. Një model i ri menaxhimi që duam ta transferojmë edhe në spitalet e tjera të vendit”, ka shkruar ministrja Manastirliu në rrjetet sociale.

Sipas saj, janë vendosur afatet konkrete për planin e bashkëpunimit në sektorin farmaceutik mes dy Agjencive të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, “në funksion të rritjes së standardeve dhe sigurisë së shërbimit farmaceutik”.

Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Evis Kushi, në kuadër të vizitës dyditore të delegacionit shqiptar në Turqi, ka zhvilluar në Ankara një takim me Presidentin e Këshillit të Arsimit të Lartë të Republikës së Turqisë, Mehmet Ali Yekta Saraç.

“Sot në Ankara zhvillova një takim shumë të frytshëm me Presidentin e Këshillit të Arsimit të Lartë të Turqisë Prof. Dr. M. A. Yekta Saraç, me të cilin dakordësuam mbi planin e veprimit për hapjen së shpejti të filialit të Universitetit Teknik të Stambollit (ITÜ) në Shqipëri. Gjithashtu, diskutuam gjerësisht për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona nëpërmjet projekteve konkrete në fusha me interes të përbashkët për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”, ka shkruar ministrja Kushi në rrjetet sociale.

Pjesë e delegacionit shqiptar ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Shqipërisë, Genti Gazheli, i cili zhvilloi një takim bilateral me Drejtorin e Doganave Turke, Mustafa Gümüş, ku u diskutua mbi intensifikimin e bashkëpunimit midis dy administratave doganore.

Ndërkohë, ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, ka zhvilluar një takim me ministren e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, dhe me ministrin e Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi.

Gjithashtu mes dy vendeve është nënshkruar “Protokolli i Bashkëpunimit për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Përbashkët Historike dhe Kulturore”, i përgatitur për të mbrojtur trashëgiminë e përbashkët në Shqipëri dhe për të forcuar lidhjet historike dhe kulturore mes Turqisë dhe Shqipërisë.

Gjatë vizitës së delegacionit shqiptar, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, priti në një takim dje edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Kategoritë
BotaLajme