Miratohet raporti, spiunazhi ish-jugosllav duhet të hapë arkivat

Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Europian votoi sot me 60 vota pro, 4 kundër dhe 6 abstenime raportin e eurodeputetit Lukas Mandl mbi bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër krimit të organizuar.

Në raportin e eurodeputetit Mandl artikulohet qartë, se krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor është i rrënjosur thellë në histori dhe rrjedhimisht nevojiten reforma të dukshme në fushën e shtetit ligjor dhe krimit të organizuar.

Vendeve të Ballkanit i kërkohet të rrisin në mënyrë domethënëse përpjekjet për progres në reformat e sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të tregojnë rezultate të prekshme për të ecur përpara në rrugën e tyre evropiane. Sipas raportuesit Mandl, kjo do të bëjë diferencën në rrugën europiane të rajonit.

Në raportin e aprovuar nga komisioni i jashtëm të Parlamentit Europian, vihet në dukje, se vendet e Ballkanit Perëndimor shêrbejnë si vende origjine, tranziti dhe destinacioni për të trafikun e qënieve njerëzore, ashtu si dhe koridore tranziti për migrantët dhe refugjatët, si edhe bazë për pastrim parash dhe trafik armësh.

Mandl u shpreh, se si kudo në botë, krimi i organizuar dhe korrupsioni dëmton besimin e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Ballkanit Perêndimor në institucionet e tyre publike, por edhe integrimin europian.

Mandl theksoi, se kjo është arsyeja pse krimi i organizuar është një pengesë e madhe për përpjekjet e shoqërive në vendet e rajonit për të zhvilluar shtetet e tyre, ekonomitë e tyre dhe fusha të tjera të jetës. Bashkimit Europian i kërkohet të përshpejtojë procesin e integrimit europian, pasi izolimi i këtyre vendeve nxit veprimtarinë e krimit të organizuar. Në raport, kërkohet edhe aprovimi i liberalizimit të vizave pa humbur kohë.

Raporti Mandl kërkon gjithashtu hapjen e arkivave të shërbimeve të sigurisë nga e kaluara komuniste. “Veçanërisht për shkak të rrënjëve historike të krimit të organizuar, një nga objektivat kryesore të përmendura në raportin e Parlamentit Evropian do të jetë hapja e arkivave mbi veprimtarinë e shërbimeve të inteligjencës në shtetet e Ish-jugosllavisë”, është shprehur Mandl para votimit.

Grupimi i partive popullore europiane, të cilit i përket eurodeputeti Lukas Mandl, synon që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një histori të qëndrueshme në trajtimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Qëndrimi i këtij grupimi, është se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të nxjerrin raporte periodike kombëtare për këtë çështje dhe t’i bëjnë institucionet e tyre të punojnë më mirë së bashku, veçanërisht në lidhje me mbledhjen dhe shkëmbimin e inteligjencës.

Kategoritë
LajmeRajoni