Mitsotakis: Greqia do të shkojë në mbyllje totale

Masat do të zbatohen për të ndaluar njerëzit e papërgjegjshëm që rrezikojnë jetën e të tjerëve, tha kryeministri Greqisë.

Greqia do të vendosë ndalim të plotë të lëvizjes publike që nga ora 06:00 e mëngjesit të hënën për të penguar përhapjen e koronavirusit, tha kryeministri i vendit, Kyriakos Mitsotakis, të dielën në një fjalim televiziv, raporton Anadolu Agency (AA).

Masat do të zbatohen për të ndaluar njerëzit e papërgjegjshëm që rrezikojnë jetën e të tjerëve, tha Mitsotakis.

“Shteti është i detyruar sipas kushtetutës që të kujdeset për shëndetin e qytetarëve të tij dhe të ndërhyjë kur ushtrimi i lirisë individuale tejkalon qëllimin e tij kushtetues dhe kërcënon shoqërinë. Kur një person dëshmon se nuk ka përgjegjësi, atëherë interesi publik duhet të ruhet”, shtoi ai.

Të përjashtuar nga ndalimi janë njerëzit që shkojnë në punë, dalja jashtë për të blerë ushqim dhe ilaçe, vizitat tek mjeku, personat që kanë nevojë për kujdes dhe ata që ushtrojnë vetëm ose në çifte ose nxjerrja e kafshëve të tyre në shëtitje. Të përjashtuar do të jenë zyrtarët e shtetit, personeli i sigurimit dhe mjekësorë dhe stafi nga mbrojtja civile, shërbimet shëndetësore, forcat e sigurisë dhe forcat e armatosura.

Njerëzit duhet të kenë me vete letërnjoftimin ose pasaportën në çdo kohë, gjithashtu një letër që tregon dhe vërteton qëllimin e tyre të lëvizjes përmes punëdhënësit të tyre ose nëse janë të vetëpunësuar një dokument personal të vlefshëm.

Shkelësit do të gjobiten me 150 euro.

“Në Itali, një person vdes çdo dy minuta dhe situata po përkeqësohet në të gjithë botën. Është detyra ime të mos lejoj që vendi ynë të kalojë në një gjendje të tillë”, tha Mitsotakis.

Duke iu referuar vendimeve tragjike të mjekëve për të liruar shtretërit spitalorë në Itali, ai tha: “Ne nuk duhet të arrijmë në atë pikë ku të vendosim se kush do të jetojë dhe kush do të vdes. Unë jam përcaktuar për një gjë: jetën dhe shëndetin e grekëve”.

Greqia deri më tani ka regjistruar 15 vdekje, ndërsa gjithsej 94 raste të reja janë regjistruar të dielën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara me virus në 624.

Kategoritë
BotaLajme