Mjekët bullgarë tregojnë gjendjen e shtatë të lënduarve nga aksidenti tragjik

Shtatë persona të cilët i kanë shpëtuar tragjedisë me 46 viktima në Bullgari, janë dërguar në spitalin Pirogov në Sofje, për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

Mediat bëjnë me dije se bëhet fjalë për një vajzë 17-vjeçare dhe 6 persona të tjerë të moshave më të rritura.

Doktoresha Maja Argirova nga Klinika e Spitalit të Djegieve në Institutin Mjekësor tha se nuk ka asnjë rrezik për jetën e të plagosurve.

17-vjeçarja dhe 5 prej pacientëve më të rritur ndodhen në Klinikën e Diegieve ndërsa një tjetër është dërguar në Klinikën e Traumatologjisë. Të gjithë ata i nënshtrohen ekzaminimeve shtesë në spital.

Aksidenti ka ndodhur në autostradën Struma pak pas orës 02.00, në afërsi të fshatit Bosnek. Autobusi me targa të Maqedonisë ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Automjeti ka hyrë në Bullgari nga Turqia. Pak pas mesnate, autobusi ndaloi në një pikë karburanti afër Sofjes dhe më pas vazhdoi rrugën. Aksidenti ka ndodhur një orë më vonë. Deri më tani nuk ka një konfirmim nëse autobusi fillimisht ka dalë nga rruga dhe më pas ka marrë flakë apo e kundërta.

Kategoritë
LajmeRajoni