Mjekja shqiptare nga Gjermania flet për sigurimin e vaksinave për Kosovën: Përmes vaksinimit masiv të popullatës mund të shohim së shpejti fundin e pandemisë

Kosova sikurse edhe vendet e tjera në mbarë botën është duke vazhduar përballjen me pandeminë COVID-19. Sigurimi i vaksinave për qytetarët e Kosovës vazhdon të jetë sfidë për institucionet e vendit.

Por, falë ndihmës së shteteve mike dhe Bashkimit Evropian, Kosova tashmë ka siguruar një dozë të vaksinave dhe ka filluar vaksinimin e qytetarëve.

BE-ja ditë më parë konfirmoi se do të sjell në Kosovë 95 mijë dozave të vaksinave antiCOVID. E për sjelljen e këtij kontingjenti të vaksinave meritë ka edhe puna dhe angazhimi i Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë (AMFE).

 

Mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Meta Dollenberg e cila njëherësh është edhe kryetare e kësaj federate, në një intervistë për Telegrafin ka treguar për punën dhe angazhimin e saj por edhe të mjekëve shqiptarë për sigurimin e vaksinave për shqiptarët.

“Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë është struktura e vetme e regjistruar që operon në një nivel evropian. Federata krenohet me mjekët dhe bluzat e bardha prej 21 vende evropiane që punojnë vullnetarisht dhe me humanizëm kanë mbështetur si në rrugë monetare dhe me dije gjatë këtij viti pandemik. Terapia e duhur ndaj COVID-19 dhe vaksinimi në kohë i popullatës shqiptare është motoja e Federatës”, ka thënë Dollenberg.

Dollenberg thekson se ndër sukseset më madhore të Federatës ishte kontributi në sigurimi e më shumë se 150 mijë doza vaksinash nga Bashkimi Evropian për vendet shqipfolëse.

“Ndër sukseset më madhe të Federatës ishte kontributi në sigurimin e më shumë se 150 mijë doza vaksinash nga Bashkimi Evropian për vendet shqipfolëse. Ne jemi të vetëdijshëm se për imunitetin e tufës nevojiten akoma më shumë vaksina, kështu që ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të rritur ndërgjegjësimin e Bashkimit Evropian për mundësimin e dërgesës së radhës”, u shpreh mjekja shqiptare, Aurora Dollenberg.

Kategoritë
LajmeVendi