Mjeshtri i kapelave në Çarshinë e Shkupit sfidon kohën dhe ruan sekretet e zanatit

Ilço Trajkovski është trashëgimtari i zanatit të bërjes së kapelave, i cili në dyqanin në Çarshinë e Shkupit ruan sekretet e këtij zanati.

Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, asnjë shkupjan nuk dilte nga shtëpia pa kapelë në krye, rrëfejnë më të moshuarit që dëshmojnë për atë kohë. Kapela ka qenë një detaj i domosdoshëm i modës, fillimisht i të gjithë meshkujve e pastaj edhe i femrave, ndërsa më e rëndësishmja është se kapela ka pasur fuqinë të flasë në vend të njeriut pasi ka qenë simbol i vetëbesimit dhe karakterit të fuqishëm të njeriut.

Kapelat për shkupjanët fillon t’i bëjë mjeshtri Petar në Çarshinë e Shkupit, në vitin 1952, në vitet kur çarshia ishte qendra e tregtisë. Pas tij, storjen e mjeshtërisë së kapelave e vazhdojnë djemtë e tij, njëri prej të cilëve është mjeshtri Ilço Trajkovski.

Ai është trashëgimtari i zanatit të bërjes së kapelave, i cili në dyqanin në Çarshinë e Shkupit ruaj sekretet e këtij zanati. Në bisedë për Anadolu Agency (AA), Trajkovski thekson se “zanati nuk mësohet, zanati vidhet”.

Duke folur për jetëgjatësinë dhe cilësinë e kapelave, mjeshtri Ilço thotë se sekreti është në materialet natyrore, duke theksuar se gjithçka që është natyrore, zgjat më shumë.

“Në periudhën e verës unë punoj me pambuk dhe lino të pastër, ndërsa kapelat i bëjmë nga kashta e orizit, ato janë kapela kashte. Më herët, edhe nëse donim, nuk kishte materiale sintetike. Të dimrit, lesh të pastër, kashmir, shajak, fije të lepurit, pra gjithçka që është natyrore”, tha Trajkovski.

Dyqanin e ka vizituar edhe Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdoğan

Dyqanin e vëllezërve kapelabërës e kanë vizituar shumë turistë të huaj që kanë mbetur të mahnitur nga artizanali, ndërsa një nga vizitoret ka qenë edhe Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdoğan, gruaja e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.

Për vite me radhë, mjeshtri Trajkovski bashkë me djemtë e tij bën kapela për personalitete të rëndësishme të rajonit, ndërsa kapelabërësi Ilço thotë se veçanërisht e gëzon fakti që në dyqanin e tij është bërë kapela që e mban aktori i nivelit botëror, Rade Sherbexhija.

“Këtu është bërë kapela e (ish-mbretit jugosllav) Aleksandar Karaxhorxheviçit, e adjutantit (ish-ministër jugosllav i Mbrojtjes) Branko Mamulla, në këtë dyqan. Të këngëtarëve të ndryshëm, nga pavarësia e deri më sot, këtu të gjithë kanë blerë. Nga (ish-presidenti) Kiro Gligorovi, e të gjithë të tjerët kanë ardhur të blejnë. Për shkak se e dinë që në këtë cep ka pasur kapelabërës në Mbretërinë e Jugosllavisë, në Jugosllavinë e Titos, në Maqedoninë e pavarur. Pra ky cep, në tre regjimet ka shërbyer për të njëjtën gjë”, rikujtohet kapelabërësi.

Trajkovski thotë se mjeshtëria e bërjes së kapelave është një nga zanatet që ka lindur në Çarshinë e Shkupit, ka lënë shenjat e saja dhe tani ngadalë përgatitet të largohet, pasi siç thekson ai, kanë mbetur vetëm edhe dy dyqane me kapelabërës.

Popullata e re ka mosinteresim ndaj zanateve

Ai rrëfen edhe për ditët kur ka mësuar zanatin, me shpresën se dikush nga nipërit e tij do të ketë dëshirë të vazhdojë dhe të kultivojë zanatin, pasi në familjen e tyre ky zanat paraqet traditë.

Duke folur për atë se kush është fajtori kryesor për shuarjen e zanateve, ai thotë se me siguri shumica do të drejtonin gishtin në industrializimin, prodhimtarinë e shpejtë dhe importin. Mirëpo, Trajkovski thotë se një rol të madh luan edhe mosinteresimi i popullatës së re në mësimin e zanateve.

“Nga kohët e mëhershme e tani ka dallim të madh. Pse ne si çirakë tani u bëmë mjeshtër? Për shkak se dëgjonim dhe isha i disiplinuar, e jo si tani. Na mësonin: ‘Bir, kur të shkosh në dyqan, duhesh ta kesh parasysh të fitosh para’. E tani shkon në dyqan dhe tërë ditën je në internet dhe në celular. Unë nga ora 9 deri në orën 18 janë vazhdimisht në makinë, nëse vjen ndonjë myshteri duhet të ngrihem ta shërbej dhe përsëri ulem të punoj”, thotë kapelabërësi Trajkovski.

Ai shprehet se bukuria e çarshisë qëndron në atë që ajo ua dhuroi zanatin njerëzve e me këtë u dha edhe jetë, si dhe i mësoi të jetojnë së bashku.

“Krijon nga ju një njeri që respekton të tjerët, më të moshuarit dhe mjeshtërit, ndërsa më e rëndësishmja nga të gjitha është që ju mëson të respektoni ata që janë të ndryshëm nga ju”, thotë kapelabërësi Trajkovski.

Kategoritë
LajmeRajoni