Mohimi i gjenocidit vë në pikëpyetje orientimin e Qeverisë së Malit të Zi

Ka shkaktuar reagime të shumta deklarata e ministrit të Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Vladimir Leposaviq, në të cilën ai mohon se në Srebrenicë është bërë gjenocid.

Ka shkaktuar reagime të shumta deklarata e ministrit të Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Vladimir Leposaviq, në të cilën ai mohon se në Srebrenicë është bërë gjenocid. Organizatat joqeveriatare (OJQ) thonë se kjo deklaratë e ministrit Leposaviq sjell në pyetje orientimin e proklamuar të Qeverisë drejt evropianizimit të shoqërisë dhe drejt kultivimit të kulturës së drejtave njerëzore.

Ata kanë kërkuar që ministri të japë dorëheqje ose ta shkarkojë Parlamenti i Malit të Zi. Organizatat joqeveritare por edhe shumë parti politike të opozitës konsiderojnë se me këtë deklaratë ministri Leposaviq përveç që ka zhvlerësuar detyrimin e Malit të Zi që t’i respektojë aktvendimet e Gjyqit Ndërkombëtar dhe dokumentet obliguese ndërkombëtare, i ka bërë dëm edhe harmonisë shumetnike, procesit të drejtësisë në tranzicion si dhe pajtimit duke nxitur edhe më tepër atmosferën e trazuar në shoqërinë malazeze.

Siç theksohet qëndrimet e tilla të Leposaviqit apriori kufizojnë plotësimin e masave nga kapitulli 23, nga të cilat drejtpërdrejt varet progresi në të gjitha aspektet e tjera të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Lista Shqiptare kërkon shkarkimin e menjëhershëm të ministrit Leposaviq.

Në kumtesën për opinion thuhet se: “Dënojnë mohimin dhe revizionin e shpeshtë të fakteve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, si dhe kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Ministrit të Drejtësisë, Mirosllav Leposaviq, i cili mohoi gjenocidin e Srebrenicës. Nga Lista Shqiptare shprehën shqetësimin e tyre të thellë mbi pikëpamjet e shprehura në Parlament nga Ministri i Drejtësisë dhe i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Vladimir Leposaviq, në lidhje me gjenocidin e Srebrenicës.

“Qeveria e cila nuk ka përfaqësues të pakicave, e ministri i lartpërmendur udhëheq me pjesën e të Drejtave të Njeriut, sjell shqetësime shtesë midis qytetarëve dhe pjesëtarëve të pakicave në përgjithësi. Qëndrimet, të cilat i ka theksuar ministri, si përfaqësues zyrtar i Qeverisë, kanë shkaktuar reagime të mëdha të opinionit vendas dhe ndërkombëtar, dhe me këtë tregohet se vështirë mund të pritet që në këtë dikaster të keni kapacitet për politikëbërje kredibile ndaj BE-së, dhe më e rëndësishmja, në drejtim të forcimit të kohezionit, brenda Malit të Zi”, thuhet në deklaratë të Listës Shqiptare.

Reagon Ambasadori i Gjermanisë 

Ambasadori i Gjermanisë në Podgoricë, Robert Veber, ka theksuar se është i shqetësuar me drejtimin në të cilin është nisur Mali i Zi si shtet dhe shoqëri dhe se polarizimi politik në rritje dëmton karakterin shumetnik qytetar të vendit. “Ngjarjet e paradokohshme, siç janë përpjekjet kontroverse për emërimin e rrugëve, përdhosjen e xhamive dhe relativizmi i gjenocidit në Srebrenicë, më shqetësojnë gjithnjë e më tepër për drejtimin në të cilin aktualisht është nisur Mali i Zi si shtet dhe si shoqëri. Polarizimi politik në rritje, gatishmëria gjithnjë e më e madhe për përdorimin e dhunës ndaj kundërshtarëve politikë dhe ndaj përfaqësuesve të mediave, e dëmtojnë karakterin qytetar shumetnikë të Malit të Zi”, ka theksuar Veber në reagimin e tij.

Abazoviq: Kush nuk e pranon gjenocidin, nuk mund të jetë në funksion

Kush nuk e kupton se në Srebrenicë, ka ndodhur gjenocid, ai nuk ka vend në funksionet shtetërore, ka theksuar nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Ai në Twitter ka shkruar se në Srebrenicë, ka ndodhur gjenocid. “Qeveria i respekton të gjitha akt vendimet ndërkombëtare. Rreth kësaj teme nuk ka diskutime. Kush nuk e kupton këtë, nuk mund të ketë vend në funksionet shtetërore”, ka theksuar Abazoviq.

Kategoritë
LajmeRajoni