Mori pjesë në grupe terroriste, dënohet me mbi katër vjet burg

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit N.L. për shkak të veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Gjykata bën të ditur se i akuzuari N.L. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër vjet e gjashtë muaj, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 1 gusht 2018 e tutje, por, jo më shumë se dënimi i shqiptuar, i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Konform nenit 367, paragrafi 7, të KPPK-së, të akuzuarit N.L. i është vazhduar masa e paraburgimit, e cila do të zgjasë derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim,” thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve, në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kategoritë
LajmeVendi