“Mos flit sikur je akoma në pelena”, Rama i kërkon Bashës që të “bëhet burrë”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama replikoi me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, i cili e akuzoi se ka krijuar një skemë të ndarjes së parave të buxhetit, me të cilën mban në këmbë qeverinë e tij.

“Tarifat e tenderave mbi 1 milion euro i ndan ti, nën 1 milion euro ua ndan këtyre të tjerëve. Ty nuk të pëlqejnë tenderat për projekte të financuar nga BE-ja, se aty nuk e vendos dot ti tarifën. Merri letrat e tenderave, ndoshta i ka djegur “Tigri”, por aty shikon se nuk ka konkurrencë, se i ke përcaktuar ti”, tha Basha.

Rama iu përgjigj duke i kërkuar që të mos hedhë baltë nga foltorja e Kuvendit.

“Kur vihesh përballë akuzash të tilla, është në fakt barra e akuzuesit që të provojë akuzën, jo e akuzuesit që të provojë se nuk e ka bërë atë për të cilën akuzohet. Unë do të përgjigjem thjesht: po sikur fondet e vëna në dispozicion për rindërtimin e shkollave nga BE-ja, në raport me fondet e vëna në dispozicion nga qeveria, të rezultojnë më të larta në shpenzim për investim sesa fondet e qeverisë, çfarë duhet të bëjmë me gjithë këtë çarçaf që sapo u var në foltoren e Kuvendit.”

“ Çfarë i mbetet parafolësit? Në fakt, i mbetet ajo që i ka mbetur gjithmonë: humbja. Ajo që e përgatit me duart, gjuhën dhe me qëndrimet e veta çdo ditë. Mua, fondet e BE-së më pëlqejnë shumë dhe i jam shumë mirënjohës BE-së që na ka ndihmuar në procesin e rindërtimit. Në aspektin e nikoqirllëkut në shpenzimet e fondeve, u jam mirënjohës atyre që kanë punuar sepse kanë garantuar që ne të bëjmë më shumë, me më pak. Kështu që, fjalën hajdut që të ka mbirë në majë të gjuhës, gëlltite brenda dhe matu mirë kur flet këtu.”

Më tej, Rama ngriti edhe më tepër tonet, raporton A2.

“Të paktën dilu zot njerëzve të tu dhe mos i lër rrugëve. Mos hajde këtu të bësh leksione morali dhe të ndysh shtëpitë e shqiptarëve me diskutimet e tua. Arsyeja pse ti nuk fiton, nuk janë as kriminelët e as bosat, por je ti. Me këtë mënyrë të foluri nuk të beson askush. Ndrysho sa nuk është vonë. Unë këtu jam për të respektuar këtë institucion, për të respektuar edhe ty bashkë me partinë tënde. Mos vazhdo të flasësh sikur je akoma në pelena. Bëhu burrë dhe mos hajde këtu me shpifje dhe baltë, por me argumente./Sinjali

Kategoritë
LajmeRajoni