Moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit: Ky është paralajmërimi i ekspertëve të sigurisë!

Pasi autoritetet e Kosovës dhe Serbisë nuk kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi ka vendosur që votuesit nga Kosova, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit, mund të votojnë në qendrat e votimit në katër komuna të Serbisë – Bujanoc, Rashkë, Kurshumli dhe Tutin, raporton GazetaBlic.

Vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për mos hapjen e kutive të votimit për zgjedhjet e 3 prillit, tensionoi situatën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku bëri që para pak dite të ngriten qindra serbë në protesta në veri të Kosovës.

Lidhur me këto zgjedhje, GazetaBlic ka kontaktuar me Drejtuesin e Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli.

Sheholli u shpreh se ky vendim i Qeverisë së Kosovës për zgjedhjet serbe ka marrë fund dhe nuk do të ndryshohet, teksa komentoi edhe rrethanat të cilat mund të ndodhin gjatë ditës së dielë.

“Qëndrimi dhe vendimi i Qeverisë së Kosovës ka marrë fund. Ndaj presioneve të cilat po vijnë nga disa shtete të QUINT-it, duhet të jemi korrekt në të ardhmen. Sa i përket veprimeve, nuk do të ndodhë asgjë, serbët me dy shtetësi do të shkojnë dhe të votojnë atje siç kanë votuar për referendum dhe pastaj do të shohim sjelljet e tyre pas 3 prillit”, u shpreh Sheholli.

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Drizan Shala u shpreh për GazetaBlic se vendimi i Qeverisë së Kosovës për mosmbajtjen e zgjedhjeve është i drejtë, por mund të krijojë tensione.

“Sa i përket marrjes së vendimit nga Qeveria për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, unë mendoj se është një veprim i drejtë, por mund të themi se ky qëndrim i prerë i qeverisë, mund të krijojë tensione sepse siç dimë ne, Aleksandar Vuçiq është duke programuar situatën me javë të tëra”.

Shala thotë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka një skenar në mendje.

“Marrja e vendimit të largimit të zyrtarëve shtetëror nga mekanizmat përkatëse tregon se Vuçiqi në mendje ka një skenar i cili deri diku është bërë publik”.

Ndryshe, ai shprehet se ekziston një frikë se çfarë do të ndodhë pas këtyre zgjedhjeve duke marrë parasysh mobilizimin e protestuesve serb javën e kaluar.

“Frika më e madhe është që çfarë do të ndodhë pas këtyre zgjedhjeve, a do të ketë veprim nga ana e institucioneve të Serbisë duke shfrytëzuar qytetarët serb në Kosovë. Është vërejtur gjatë javës që kemi lënë pas një mobilizim i protestuesve serb të cilët tentuan të japin një sinjal që nëse nuk shkon gjithçka sipas planit të tyre mund të ketë cenim, bllokim të rrugëve etj, dhe kështu drejtëpërdrejtë e aktivizon mekanizmin e sigurisë duke garantuar lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët”.

Shala në fund tha se duhet të ketë ndërhyrje nga ana e policisë së Kosovës.

“Duhet të ketë ndërhyrje nga ana e Policisë së Kosovës dhe kjo ndërhyrje mund të përkthehet në atë që serbët do të shpallin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe me kontura të antonomisë. Njohja e kësaj antonomie nga ana e Serbisë na çon tek një anë e palakmueshme ku mund të cenoj nivelin e kushtetushmërisë”, përfundon ai.

Kategoritë
LajmeRajoni