Muharremaj shpalos përbërjen e ekzekutivit të ri të Suharekës

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, të enjten ka prezantuar ekipin me të cilin do të qeverisë në mandatin aktual.

Sipas njoftimit të kësaj komune, në pozitën e nënkryetares edhe për një mandat është emëruar Mihrije Suka. Në të njëjtën kohë janë shpalosur edhe emrat e drejtorëve të sapo emëruar.

“Drejtorët e emëruar janë: Drejtoria e Administratës – Kymete Bajraktari; Drejtoria e Arsimit – Remzi Bajselmani; Drejtoria për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjenca – Enver Shabani; Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor – Visar Kuçi; Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport – Lorika Gashi; Drejtoria e Financave – Labinot Halitjaha (PDK); Drejtoria e Bujqësisë – Ardian Kotorri; Drejtoria për Pronë dhe Kadastër – Armend Krasniqi (PDK); dhe Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale – Besa Kuqi”, thuhet në komunikatën e Komunës së Suharekës.

Aty theksohet se të enjten kryetari Muharremaj ka mbajtur një takim me drejtorët, “të cilët do të jenë pjesë e ekzekutivit në qeverisjen lokale për katër vitet e ardhshme”.

“Muharremaj ka kërkuar nga të emëruarit që të jenë drejtorë të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie politike si dhe të punojnë me nder dhe sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi”, thuhet në njoftim.

Në zgjedhjet e fundit komunale, Bali Muharremaj i AAK-së është rizgjedhur kryetar komune, në raundin e parë me 14,483 vota ose 51,30 %.

Kategoritë
LajmeVendi