Mulhaxha-Kollçaku: Do të angazhohemi që të vazhdojmë përkrahjen me shtesa për stafin shëndetësor deri në zbatimin e Ligjin për pagat

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha Kollçaku pas vizitës që bëri në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës tha se do të ofrojnë mbështetje si Komision dhe se do të kujdesen që shtesat për stafin shëndetësor të jenë deri në zbatim të ligjit për paga.

Ajo tha se gjatë vizitës kanë marrë informata shumë të vlefshme, ndërkaq theksoi se do të vazhdojnë të mbështesin financiarisht punonjësit shëndetësor.

“Morëm informata shumë të vlefshme dhe ofruam mbështetjen e Komisionit, si në aspektin financiar që ne do të japim mbështetje edhe gjatë rishikimit të buxhetit, por edhe gjatë hartimit të buxhetit për vitin tjetër. Po ashtu, do të kujdesemi që edhe shtesat për mjekë deri në zbatimin për Ligjin për pagat, që të ketë mbështetje për stafin shëndetësor”, tha deputetja, Mulhaxha Kollçaku.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi tha se do të angazhohen për rritjen e shtesave, por se fokus kryesor do të kenë ligjin e ri për pagat.

“Ne do të angazhohemi për rritje të shtesave, por angazhimi kryesor do të jetë për një ligj të ri të pagave, ku atëherë në mënyrë të duhur dhe meritore atëherë do të zgjidhet çështja e pagave për të gjithë punëtorët shëndetësor dhe stafin mbështetës pa dallim”, u shpreh ajo.

Mulhaxha Kollçaku tha para medieve se gjendja në QKUK është shumë inkurajuese dhe se brenda dy javësh ka rënë përgjysmë numri i të hospitalizuarve.

“Ajo çfarë mund të them është shumë inkurajuese. Kemi numër të përgjysmuar brenda dy javëve, pra rënie drastike, për gjysmë të rasteve, gjë që na gëzon”, tha ajo

Kategoritë
LajmeVendi