Mungesa e mikroçipeve ndikon negativisht në tregun e automjeteve komerciale në BE

Shitjet e automjeteve komerciale ranë në tregjet kryesore evropiane në shtator

Shitjet e automjeteve komerciale në tregjet e BE-së kanë rënë me 12,3 për qind në shtator për shkak të mungesës globale të mikroçipeve, sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Prodhuesve Evropianë të Automobilave (ACEA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Shitjet e automjeteve komerciale në bllokun 27-anëtarësh muajin e kaluar arritën në 143.131 njësi, tha ACEA në një raport.

“Spanja regjistroi rënien më të fortë muajin e kaluar (‐26,7 për qind), e ndjekur nga Gjermania (‐18,2 për qind), Franca (-16,1 për qind) dhe Italia (-10,4 për qind)”, thuhet në raport.

Kërkesa në BE për furgona – automjete të lehta komerciale – u tkurr me 13,6 për qind në bazë vjetore në shtator, ose në 118.903 njësi, ndërsa shitjet e kamionëve të rinj të rëndë ranë 1,8 për qind, ose në 18.359 njësi.

Kërkesa për automjete komerciale të mesme/të rënda në gjithë BE-në ka rënë 5,8 për qind në 21.851 njësi, së bashku me një rënie prej 3,8 për qind në shitjet e autobusëve, në 2.377 njësi.

Në nëntë muajt e parë të vitit 2021, tregu i automjeteve komerciale të BE-së u rrit 19,1 për qind, ndërsa shitjet arritën në 1,4 milionë njësi.

“Për shkak të bazës së ulët të krahasimit të vitit 2020, secili nga katër tregjet e mëdha të BE-së shënoi rritje deri më tani këtë vit: Italia (+29,7 për qind), Franca (+16,8 për qind), Spanja (+10,4 për qind) dhe Gjermania (+8,5 për qind)”, thuhet në raport.

Kategoritë
BotaLajme