Mungesa e provave nga Prokuroria e Pejës çoi deri te lirimi nga aktakuza për grabitje

Mungesa e provave materiale dhe pamjaftueshmëria e identifikimit të personit që kreu grabitjet vitin 2018, ishin arsyet pse Gjykata  Pejës, në mungesë të provave liroi të pandehurin B.A. nga aktakuza.

Prokuroria e Pejës  pretendonte se grabitësi që kreu dy grabitjet, posedoi armëmbajtje pa leje dhe shkaktoi rrezik të përgjithshëm ishte pikërisht B.A.  Për këtë akuzë, i pandehuri B. qëndroi 5 muaj në paraburgim dhe 4 muaj në arrest shtëpiak.

Sipas aktgjykimit të arsyetuar nga kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, aktakuza nuk përmbante prova të mjaftueshme për të provuar se i pandehuri Bajram ishte kryes i grabitjeve.

Gjykata ka arsyetuar se teshat e gjetura në vendin e ngjarjes nuk ishte mundur të nxjerrë profil i mjaftueshëm i ADN-së për të bërë krahasimin me ADN-në e të pandehurit.

Sipas Gjykatës, kryesi i grabitjeve nuk  ishte identifikuar edhe pas ekzaminimit të pamjeve të videonqizimeve të vendit të ngjarjes.

Aktakuza e Prokurorisë së Pejës ishte e bazuar në dëshmitë e zyrtarëve policor, të cilët kishin rastisur të ishin jashtë detyrës zyrtare derisa kishin ndodhur grabitjet dhe ishin ballafaquar me të njëjtin. Shumë kohë pas ngjarjes kritike,  zyrtarët policor pasi kishin parë videoinqizimet, kishin shprehur dyshimin e tyre se i pandehuri mund të ishte kryesi i grabitjeve.

Këtyre deklaratave të zyrtarëve policorë, Gjykata e Pejës nuk ia ka faluar besimin pasi kur të njëjtit në vitin 2018 kishin qenë dëshmitar të grabitjes dhe ishin ballafaquar me grabitësin, nuk kishin bërë ndonjë identifikim të grabitësit.

Këtë identifikim, sipas Gjykatës, zyrtarët policor e kishin bërë më vonë, pasi i pandehuri B.A. ishte dorëzuar vullnetarisht për tu përballur me drejtësinë.

“Si  dëshmitar të rastit kishin qenë edhe dy zyrtarët policor, të cilët janë ndëgjar në cilësinë të dëshmitarëve, mirëpo në polici këta dëshmitar kishin përpiluar vetëm raporte policore, në të cilat i kanë përshkruar veprimet e ndërmarra në natën kritike, por në ato raporte policore nuk ishte shënuar ndonjë person i identifikuar”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Sipas Gjykatës, zyrtarët policor nuk kishin bërë identifikimin e të pandehurit në kohën kur ishte kryer vepra penale, edhe pse zyrtarët e kishin njohur me parë të pandehurin Bajram. Kurse identifikimi i mëvonshëm sipas Gjykatës nuk kishte mbështetje në procedurën ligjore të identifikimit të paraparë me KPP.

Prokuroria  aktakuzën e kishte bazuar edhe në faktin se vëllai i të pandehurit Bajram, dëshmitari A.A. ua kishte pohuar zyrtarëve policorë H.A. dhe S.K. se vëlli i tij B. kishte kryer veprën penale.

Për këtë fakt, gjykata ka arsyetuar se vëllai i të pandehurit kishte dëshmuar se arsyeja  e takimit me zyrtarët policorë kishte qenë shprehja e vullnetit që i pandehuri të kthehej dhe të përballet me drejtësinë për dyshimet ndaj tij për grabitje dhe i njëjtë kishte mohuar se kishte pranuar se vëllai i tij kishte kryer grabitjet.

Dëshmitë e dy zyrtarëve policorë se vëllai i të pandehurit kishte pohuar se i pandehuri kishte kryer veprën penale, Gjykata e Pejës ka arsyetuar se nuk kishin mbështetje në provat materiale të ADN-së dhe ekzaminimet e kamerave.

“Këto për gjykatën ishte vetëm një indicie se i akuzuari A., mund të jetë kryes i veprave penale për të cilat është akuzuar, e i cili dyshim nuk u mbështet në asnjë provë të vetme qoftë formale apo materiale”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Pejës.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 1 korrik 2021, nga Prokuroria e Pejës, më 27 korrik 2018, në rrugën “UÇK”, në Pejë, në lokalin “Play for Win” dhe në kompaninë derivateve “Al Petrol”, i akuzuari B.A., i armatosur dhe maskuar kishte hyrë në bastoren sportive duke shtënë një herë në drejtim të dyshemesë derisa në këtë lokal kishin qenë dëshmitarët Rr.M. dhe A.B., dhe ka grabitur shumën prej 115 euro. Kurse, në pompën e benzinës merr shumën prej 120 euro.

Me çka, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Grabitja”, nga neni 329, par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 81 të ish-KPRK-së, për të cilin parashihet dënimi me burgim prej 7 deri 12 vite burgim.

A. akuzohej se në natën kritike kishte kryer veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, pasi kishte shkrepur nga një herë në drejtim të dyshemesë duke shkaktuar rrezik për dëshmitarët dhe më pas derisa ndiqet nga zyrtarët policorë H.A. dhe S.K., në ikje e sipër me të njëjtit shkëmben zjarr, duke rrezikuar jetët e tyre dhe jetën e qytetarëve.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 365, par.1 të ish-Kodit Penal, për të cilën parashihet dënimi prej 6 muaj deri 5 vite burgim.

I njëjti ngarkohej edhe me armëmbajtje pa leje, pasi sipas aktakuzës, pas ngjarjes së ndodhur, rreth 500 metra nga vendimi i ngjarjes së bashku me gjësendet tjera, është gjetur edhe arma e përdorur nga i pandehuri e cila është e llojit “Zoraki”, për të cilin parashihet deri me 7 mijë e 500 euro ose dënim me burgim deri në 5 vite.

Kategoritë
LajmeVendi