Murati kritikon tërheqjen e kursimeve pensionale në kohën e Hotit: Pati ndikim negativ në ekonomi

Ministri i Financave, Hekuran Murati është deklaruar rreth kërkesës për tërheqjen e 30% të mjeteve të Trustit.

Murati në një konferencë për media tha se tërheqja e këtyre mjeteve nga Qeveria Hoti në vitin 2020 ka pasur një efekt negativ në ekonomi.

“Në lidhje me çështjen e Trustit kemi dhënë disa herë argumente dhe përgjigje lidhur me këtë termë. Sa i përket efektit në ekonomi apo financa publike që ka ndodhur për herën e parë në vitin 2020, tërheqjes së parë prej 10%. Efekti i saj do të vërehet në financat publike sepse na e kanë lënë një gropë prej 110 milionë euro për ta paguar rimbursimin”, ka thënë Murati.

E pasojat e vendimit të parë për tërheqjen e 10% të Trustit, sipas Muratit vërehen ende në politikat fiskale të Kosovës.

“Në vend se me politikat fiskale, me paratë që i mbledhim për buxhet të bëjmë politika të reja për t’i mbështetur qytetarët, për t’i rritur pensionet apo për të rritur mbështetjen për familjet në kushte sociale, ne na duhet që 110 milionë euro me i marrë nga buxhetit për me i rimburësu ata që i kanë tërhequr mjetet në 2020. Këso politike e papërgjegjshme ka qenë atëherë kur ka ndodhur”, tha ai.

Efekt negativ në ekonomi, sipas Muratit do të kishte edhe tani nëse lejohet tërheqja e 30% të Trustit.

“Nëse do të ndodhte tani, e kam thënë edhe në të kaluarën që ndikimi do të ishte kryesisht negativ në ekonomi, sepse jemi në një ambient inflancionar. Në ambientet ku ka presion inflacionar dhe tendencë të rritjes së çmimeve, është e vetëkuptueshme që çdo shtim i sasisë së parës në treg në mënyrë të patargetuar apo të pakontrolluar krijon presione të reja inflacionare”, tha ai.

E kjo tërheqje sipas tij do të nxiste edhe rritjen e çmimeve.

“Kjo do tij dëmtonte familjet që janë në nevojë e që nuk kanë Trust. Do të vazhdonin që të rriteshin çmimet. Do të krijohej presion për rritje të çmimeve e që kryesisht i dëmton ata që janë të papunë, e kryesisht punëtorët e sektorit privat që as që kanë kursime në Trust”, deklaroi Murati.

Kujtojmë që deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e pati pyetur ministrin e Financave, Hekuran Murati se çfarë shteti është Kosova nëse merr kredi për të paguar skemat sociale.

Kategoritë
LajmeVendi