Mustafa: Nuk ka krizë për furnizim me miell

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka thënë se për të siguruar që bujqit dhe agropërpunuesit të kenë më shumë mjete likuide për të punuar ka kërkuar intensifikimin e realizimit të pagesave për përfituesit e granteve dhe subvencioneve, ku bëri të ditur se gjatë javës së kaluar janë realizuar pagesat për 1.702 përfitues në vlere prej 2 milionë e 456 mijë euro.

“Për të shfrytëzuar sezonin e të mbjellave pranverore që të sigurojmë sa më shumë prodhim vendor të ushqimeve, kam vendosur t’i riorganizojmë programet mbështetëse të ministrisë drejtë rritjes së sasisë dhe cilësisë së ushqimit që prodhohet në vendin tonë. Ky riorganizim bëhet brenda buxhetit ekzistues të ministrisë, pa ulur përkrahjen për asnjë kulturë që është përkrahur deri tani, por duke riorganizuar buxhetin e pashfrytëzuar nga kulturat ku në të kaluarën ka tepruar bu xheti i ndarë drejtë kulturave të domosdoshme në këtë gjendje emergjente”, tha ai.

“Drithërat, veçanërisht gruri dhe misri, që përbejnë ushqyesit elementar për qytetarët, blegtorinë dhe shpezëtarinë, do të vazhdojnë të përkrahen, duke i shtuar angazhimin tonë personal që pagesat e subvencioneve në ketë drejtim të realizohen në afat rekord. Do të rrisim subvencionet për 50 përqind për prodhimin intensiv të perimeve në serra, për të siguruar më shumë perime të freskëta si domate, speca, tranguj. Që të rrisim të hyrat e shtetit nga eksporti, do të rrisim subvencionet për 50 përqind për mjedren si kulturë me potencial të madh eksportues. Për të siguruar më shumë bylmet dhe mish, do të rrisim subvencionet për 20 përqind për lopë qumështore, dele, dhi dhe buallica. Ndërsa për të ju dhënë familjeve tona siguri dhe higjiene në mishin e prodhuar në vend, do të rrisim subvencionimin për 50 përqind për kafshët e therura në thertore të licencuara që zbatojnë standarde më të larta. Për të mbrojtur ushqimin vendor nga fatkeqësitë natyrore, do të mbulojmë më shumë kultura bujqësore përmes skemës së sigurimeve bujqësore për të përfshirë përveç mjedrës edhe rrushin, mollën dhe kumbullën”, tha ai.

Ai tha se të gjitha këto masa, me përqendrim të veçantë tek të mbjellat pranverore, do të rrisin prodhimin vendor të lëndës bazë për të siguruar më shumë ushqim për familjet tona.

Mustafa shtoi se sipas informacioneve të tanishme nga shoqata e mullisëve të Kosovës nuk ka krizë për furnizim me miell.

Kategoritë
LajmeVendi