“Na ka zgjedhur ne”, Neymar mesazh shokëve, Messi edhe më afër Kullës Eifel

PSG apo Manchester City? Leo Messi duket se ka zgjedhur se ku do të vijojë karrierën. Mediet evropiane janë të bindura që ylliu argjentinas, i cili u nda me Barcelonën pas 21 viteve të kaluara në Katalunjë (17 vite pjesë e ekipit të parë katalanas) do të kalojë te PSG.

Francezët kanë fituar rivalitetin me kampionët e Anglisë. Neymar është përfshirë personalisht në këtë çështje. Sulmuesi brazilian ka një raport fantastik me “pleshtin”, të cilit është gati t’i lirojë fanellën me numër dhjetë nëse pranon ofertën e PSG-së.

Neymar ka shkruar në grupin e krijuar në Whatsapp me shokët e skuadrës se Messi është i gatshëm të luajë me PSG duke nisur nga sezoni i ardhshëm, lajm që ka krijuar entuziazëm të madh në kryeqytetin francez.

PSG është përforcuar me emra si Sergio Ramos, Gigio Donnarumma, Achraf Hakimi dhe Georgino Wijnaldum. Leo Messi do të ishte qershia mbi tortë, me PSG që do synojë triumfin e parë historik në Champions League, trofe që 34-vjeçarit latin i mungon prej vitit 2015

Kategoritë
Sport