NATO dëbon tetë diplomatë rusë

NATO-ja dëboi tetë diplomatë rusë dhe planifikon përgjysmimin e misionit vëzhgues të Rusisë në aleancën veri-atlantike, si përgjigje ndaj aktivitete të dyshimta të spiunazhit si vrasje, tentim-vrasje dhe shpërthime, të kryera nga agjencitë ruse të zbulimit në Evropë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se vendimi nuk lidhet me ndonjë ngjarje të veçantë, por tha se aleanca duhet të veprojë ndaj aktiviteteve dashakeqe ruse. I menjëhershëm ishte reagimi nga Kremlini.

Tetë anëtarët e misionit diplomatik rus në aleancën veri-atlantike, të cilët akuzohen se punonin për agjencitë ruse të zbulimit, duhet të largohen nga Brukseli deri në fund të këtij muaji.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolenberg tha se për momentin marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s janë në pikën e tyre më të ulët, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

“Kemi hequr akreditimet e tetë anëtarëve të misionit rus në NATO, të cilët janë oficerë të padeklaruar të zbulimit rus. Ky vendim nuk lidhet me ndonjë ngjarje të veçantë. Por kemi vërejtur një rritje të aktiviteteve dashakeqe të Rusisë“, tha zoti Stoltenberg në një konferencë shtypi.

Drejtuesi i NATO-s tha se aleanca është e gatshme për dialog me Rusinë, por se deri tani Kremlini nuk ka treguar vullnet për të biseduar.

“Kemi parë veprimet e tyre agresive, jo vetëm kundër Ukrainës, por edhe ngritjen e konsiderueshme ushtarake dhe shkeljet e marrëveshjeve të rëndësishme të kontrollit të armëve, siç është traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme, gjë që çoi në shkatërrimin e këtij traktati, i cili ndalonte të gjitha sistemet e armëve me rreze të mesme veprimi”, tha ai.

Kategoritë
BotaLajme