NATO i bën thirrje qeverisë së re gjermane të mbështesë doktrinën bërthamore të aleancës

“Qëllimi jonë është një botë pa armë bërthamore. Por përderisa të tjerët i kanë, edhe NATO duhet t’i ketë patjetër”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg

NATO i ka bërë thirrje qeverisë së ardhshme gjermane për të mbështetur strategjinë e përmbajtjes bërthamore të aleancës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Qëllimi jonë është një botë pa armë bërthamore. Por përderisa të tjerët i kanë, edhe NATO duhet t’i ketë patjetër”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, në një konferencë për media në Berlin.

Vërejtjet e tij vijnë pas pretendimeve se partnerët e ardhshëm të koalicionit, Socialdemokratët, Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë, mund së shpejti të dakordohen për një plan të politikës së jashtme i cili do të kundërshtonte përmbajtjen bërthamore të NATO-s.

Duke folur para një grupi të ekspertëve të politikës së jashtme, politikanëve dhe gazetarëve në Asociacionin Atlantik Gjerman, Stoltenberg tha se Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë që të mbajë NATO-n të fuqishme.

“Mbështetem në atë që Gjermania të mbetet e përkushtuar në ndarjen bërthamore të NATO-s. Është garancia jonë përfundimtare e sigurisë”, shtoi ai.

Ai paralajmëroi se Rusia ka investuar në mënyrë të konsiderueshme në vitet e fundit në aftësitë ushtarake, duke përfshirë armë bërthamore të reja dhe të avancuara.

Në raportimet nëpër media u tha se qeveria e re gjermane mund të ndërmarrë hapa drejt tërheqjes së bombave bërthamore amerikane, të cilat janë të vendosura në Gjermani si pjesë e aranzhimeve të NATO-s.

Stoltenberg tha se armët bërthamore të vendosura në Evropë u mundësojnë aleatëve një ombrellë efektive bërthamore.

“Ata janë një sinjal i rëndësishëm i unitetit të aleatëve kundër çdo kundërshtari të armatosur me armë bërthamore. Pra, aranzhimet e NATO-s për ndarje bërthamore janë të rëndësisë së veçantë për Evropën”, tha ai.

Besohet se rreth 20 bomba bërthamore amerikane B61 janë të vendosura në Bazën Ajrore Buechel në juglindje të Gjermanisë, si pjesë e doktrinës së përmbajtjes bërthamore të NATO-s.

Të Gjelbrit për një kohë të gjatë kanë argumentuar se Gjermania nuk duhet të ketë armë bërthamore, duke kërkuar që vendi t’i bashkohet traktatit të OKB-së për ndalesë të armëve bërthamore. Anëtarë të lartë të Socialdemokratëve gjithashtu publikisht kanë kundërshtuar vendosjen e armëve bërthamore amerikane në territorin gjerman.

Ndërkohë, Demokratët e Lirë mbështesin iniciativat e çarmatosjes bërthamore, por insistojnë se çdo vendim për tërheqjen e armëve bërthamore amerikane nga Gjermania duhet të bëhet në koordinim me aleatët e NATO-s.

Kategoritë
BotaLajme