NATO-ja njëzëri: Agresioni kundër Ukrainës do të ketë një çmim të rëndë për Rusinë

Ministrat e Jashtëm të NATO-s janë mbledhur në një takim virtual të jashtëzakonshëm të premten për të diskutuar mbi ngritjen e vazhdueshme ushtarake të Rusisë në dhe rreth Ukrainës, dhe implikimet për sigurinë evropiane.

Duke folur pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha: “Veprimet agresive të Rusisë minojnë seriozisht rendin e sigurisë në Evropë. NATO mbetet e përkushtuar ndaj qasjes sonë të dyfishtë ndaj Rusisë: parandalim dhe mbrojtje e fortë, e kombinuar me dialog kuptimplotë. Është një sinjal pozitiv që Rusia tani është e përgatitur të vijë në tryezë dhe të bisedojë, sepse kur tensionet janë të larta, dialogu është edhe më i rëndësishëm”. Takimi i Ministrave të Jashtëm të NATO-s vjen përpara një sërë angazhimesh diplomatike javën e ardhshme me Rusinë, duke përfshirë një takim të Këshillit NATO-Rusi më 12 janar. “Ne jemi gjithmonë të gatshëm të dëgjojmë shqetësimet ruse dhe NATO-ja do të bëjë çdo përpjekje për të gjetur një rrugë politike përpara. Por që dialogu të jetë kuptimplotë, ai duhet gjithashtu të adresojë shqetësimet e kahershme të aleatëve për veprimet e Rusisë. Ai duhet të bazohet në parimet thelbësore të sigurisë evropiane dhe duhet të bëhet në konsultim me Ukrainën. Ne jemi gjithashtu duke u konsultuar ngushtë me partnerë të tjerë kyç, si Gjeorgjia, Moldavia, Finlanda dhe Suedia, si dhe me Bashkimin Evropian”, theksoi më tej Stoltenbergu, raporton Zeri.info. Siç njofton NATO-ja, në takimin e sotëm, ministrat theksuan se çdo agresion i mëtejshëm kundër Ukrainës do të kishte pasoja të rëndësishme dhe do të kishte një çmim të rëndë për Rusinë. Më tej u theksua se aleatët vazhdojnë të qëndrojnë me Ukrainën dhe e mbështesin plotësisht sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, si dhe parimin që të gjitha vendet kanë të drejtë të vendosin për rrugën e tyre dhe aleancat e tyre. Në konferencën e tij për shtyp, Stoltenbergu e bëri të qartë se NATO do të marrë gjithmonë hapat e nevojshëm për të mbrojtur aleatët, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes kolektive sipas nevojës. Edhe misioni i Shteteve të Bashkuara në këtë aleancë, tha se të 30 anëtarët e aleancës janë bashkë kundër agresionit rus në Ukrainë. “Ministrat e Jashtëm të të gjitha shteteve të NATO-s ritheksuan unitetin tonë në përgjigje të agresionit rus kundër Ukrainës gjatë takimit të sotëm të jashtëzakonshëm”, tha misioni përmes një postimi në Twitter. “Përpara takimit të Këshillit NATO-Rusi, ministrat theksuan nevojën për diplomaci, dialog dhe shtensionim të situatës”, u tha më tej në deklaratën e misionit. Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics komentoi në Twitter pas përfundimit të takimit. “Takim i mirë i ministrave të Jashtëm të NATO-s. Uniteti i aleatëve, mbrojtja efikase, kolektive dhe mbështetja për partnerët tanë janë elementet kryesore për ta trajtuar sjelljen agresive të Rusisë”, tha ai në Twitter. “Ne jemi të gatshëm që të angazhohemi në dialog me Rusinë, por jo në kurriz të vlerave apo parimeve tona kryesore”, deklaroi Rinkevics

Kategoritë
BotaLajme