NATO zhvillon një manovër të madhe në Norvegji me rreth 30 mijë ushtarë

Stërvitja është quajtur “Përgjigjja e Ftohtë 2022” (Cold Response 2022) dhe do të vazhdojë përgjatë marsit dhe prillit dhe nuk ka lidhje me sulmin rus në Ukrainë.

NATO zhvillon në Norvegji një manovër të madhe me pjesëmarrjen e rreth 30 mijë ushtarëve, qindra avionëve dhe anijeve.

Stërvitja është quajtur “Përgjigjja e ftohtë 2022” (Cold Response 2022) dhe do të vazhdojë përgjatë marsit dhe prillit. Krahas trupave të vendeve aleate të NATO-s nga Evropa dhe Amerikane e Veriut në këtë manovër marrin pjesë edhe trupa nga Suedia dhe Finlanda, vende partnere këto të Aleancës.

Pjesë e formacioneve të stërvitjes janë njësi të forcave ajrore, tokësore dhe detare. 30 mijë ushtarë, 220 avionë dhe më shumë se 50 anije nga 27 vende të ndryshme bëjnë manovra në terren të vështirë dhe kushte të motit të ftohtë..

Skenari që zbatohet në këtë stërvitje është ky: “Norvegjia sulmohet dhe aktivizohet pika 5 e traktatit të Aleancës që parashikon mbrojtjen kolektive”.

Përmes një deklarate NATO thekson se manovra bëhet për qëllime mbrojtëse, ajo është planifikuar shumë kohë më parë dhe nuk ka lidhje me sulmin rus ndaj Ukrainës që po vazhdon që prej 24 shkurtit.

Aleatët e NATO-s veprojnë në mënyrë transparente në manovra dhe respektojnë angazhimet ndërkombëtare. Për të ndjekur manovrën Përgjigjja e Ftohtë janë ftuar vëzhgues nga të gjitha vendet anëtare të OSBE-së, por Rusia e refuzoi këtë ftesë. Norvegjia e ka zgjatur regjistrimin për vëzhguesit deri më 23 mars,- sqaron Aleanca në njoftimin e saj.

Kategoritë
BotaLajme