Navalny përballet me një hetim të ri, mund të dënohet me 10 vjet të tjera burg

Kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexey Navalny po përballet me një hetim të ri kriminal nga hetuesit rusë që mund të çojë në dënimin e tij me 10 vjet të tjera burg.

Sipas një deklarate, hetimi i nisur të martën nga Komiteti Hetues i qeverisë ruse, i cili heton krimet e mëdha, e akuzon Navalny-n për krijimin dhe drejtimin e një “rrjeti ekstremist” qëllimi i të cilit ishte “ndryshimi i themeleve të sistemit kushtetues në Federatën Ruse”.

Hetuesit akuzojnë gjithashtu Navalny-n dhe aleatët e tij se kanë krijuar llogari në mediat sociale për të promovuar Fondacionin e ndaluar Anti-Korrupsion të Navalny-t “me qëllim të promovimit të veprimtarisë kriminale”.

“Aktivitetet ilegale të rrjetit ekstremist kishin për qëllim diskreditimin e autoriteteve shtetërore dhe të politikave të tyre,” thanë hetuesit.

Hetimi vjen pasi partia e Presidentit rus Vladimir Putin fitoi zgjedhjet parlamentare të Dhomës së Ulët më parë këtë muaj.

Aleatët e Navalny-t u ndaluan të konkurrojnë në zgjedhje, dhe javën e kaluar, në një mesazh nga burgu, Navalny tha se zgjedhjet ishin vjedhur.

Navalny, 45 vjeç, aktualisht është duke vuajtur një dënim dy vjet e gjysmë nën një akuzë për përvetësim në vitin 2014, e cila shihet gjerësisht si e motivuar politikisht.

Dënimi u pezullua por Navalny u arrestua për shkelje të lirimit me kusht në janar kur u kthye në Rusi nga Gjermania, ku po shërohej nga ajo që ai tha se ishte një sulm me agjent nervor nga Kremlini. Zyrtarët rusë i mohojnë akuzat e tij.

Në qershor, fondacioni i Navalnyt u nxor i paligjshëm dhe autoritetet bllokuan faqet e internetit të drejtuara nga rrjeti i tij, duke i akuzuar ata për shpërndarjen e propagandës. Dy nga aleatët kryesorë të Navalnyt, Ivan Zhdanov dhe Leonid Volkov, po përballen gjithashtu me hetime penale.

Kategoritë
BotaLajme