Nderohen dëshmorët në Gllogjan: 24 Marsi, dita e kthesës së historisë

Janë bërë 23 vjet prej kur Himë Haradinaj dhe Gazmend e Armend Mehmetaj ranë në altarin e lirisë. E vitet nuk ia zvogëluan dhimbjen dhe mallin për të birin Gazmendin, nënë Zyhrës.

Ajo kujton me mall të birin, teksa e ka shumë të vështirë të gjejë fjalët për të përshkruar ditën e 24 marsit të vitit 1998.

Për të dhe familjen nuk ishte e lehtë humbja e bijve të një shtëpie përnjëherë, porse thotë se ndjehen edhe krenarë që ndonëse të ri, ata sakrifikuan edhe jetën e tyre për liri.

Mehmetaj: edhe Agroni edhe Gazmendi e kanë dhënë shpirtin për këtë tokë

 “Për mua ishte një ditë e zorit, por edhe e krenari që pata djalë me dhënë për liri… Dytë, edhe Agroni edhe Gazmendi e kanë dhënë shpirtin për këtë tokë”, thotë ajo.

Për të bërë homazhe në 23 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, në Gllogjan kishin ardhur qytetarë nga anë të ndryshme të Kosovës.

Shumë nga ta vendosën lule pranë varreve të dëshmorëve, në nderim të jetës dhe veprës së tyre.

Mëngjesin e sotëm rrugën për tek kompleksi memorial në Gllogjan kishte marrë edhe mësuesi Gani Elshani nga Nagavci i Rahovecit.

I shoqëruar nga familjarë të tij, Elshani tregon për KosovaPress se çdo vit vizitojnë komplekset memoriale në vend si shenjë nderimi për luftën dhe sakrificën më sublime për liri. Teksa kujton fillimin e bombardimeve, dhe lëndimin që kishte marrë edhe ai vet nga një predhë.

Elshani: Kam qenë i plagosur nga predha e aeroplanit 

“Më 24 kanë filluar bombardimet dhe veç kemi dal në pyll. Më 2 prill edhe ne kemi pasur fatin dhe e kanë bombarduar fshatin Nagavc, ku kam marrë edhe unë plagë nga predha e aeroplanit dhe kemi pasur të vrarë e të masakruar pa gjymtyrë, kështu që për mua është një ndjenjë e veçantë dhe ndjejmë obligim që të vijmë dhe t’i vizitojmë, jo vetëm këtu por anë e kënd trojeve shqiptare”, thotë ai.

Edhe Xhevdet Salihu nga Stublla e Gjakovës kishte ardhur për të bërë homazhe në kompleksin Memorial në Gllogjan.

Salihu, i cili është ish-luftëtar i Zonës Operative të Dukagjinit, kujton për KosovaPress se dita e 24 marsit të vitit 1998, ishte ditë e vështirë por edhe e krenarisë.

Salihu: Pas Prekazit 24 Marsi është ngjarja më e rëndësishme

 

“Ka qenë një ditë e rëndë, një ditë e veçantë, pas ngjarjeve të Prekazit, është padyshim ngjarja më e rëndësishme, edhe ditë dhimbjeje, edhe ditë krenarie. Ne ishim në përpjekje, përkundër hutisë që u krijua në njëfarë forme na zunë në befasi, kur mbërrimë arritëm me i dal ne ndihmë Gllogjanit”, thotë ai.

Adnan Hyseni ish-luftëtar i zonës operative të Dukagjinit, i cili luftoi bashkë me vëllain e tij tashmë të ndjerë, Avniun, thotë se gjaku i dëshmorëve dëshmon më së miri dashurinë e shqiptarëve për atdhe dhe gatishmërinë për të dhënë edhe jetën për lirinë e tij.

Hyseni: Kjo ditë e krenarisë, sakrificës dhe rezistencës

 

“Jehona, e cila vjen nga jehona e madhe e familjes Jashari. Kjo ditë kthen ditë krenarie, të sakrificës, ditë rezistence dhe një ditë tejet e rëndësishme përmes së cilës i tregojmë që ne shqiptarët në këtë tokë të larë me gjak ndër breza nuk e lëshojmë por e mbrojmë edhe nëqoftëse është nevoja të flijohemi. Falë sakrificës dhe gjakut të dëshmorëve në tërë Kosovën, e veçanërisht në Zonën Operative të Dukagjinit ne, sot, edhe kujtojmë edhe urojmë por edhe i përulemi gjakut të derdhur për liri, dëshmorëve të kombit, duke shijuar edhe lirinë të cilën sot e gëzojmë”, shprehet ai.

Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga Forcat e UÇK-së dhe forcave të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.

Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.

Kategoritë
LajmeVendi