Ndërron jetë në moshën 82-vjeçare politikani grek Akis Tsohatzopoulos

Tsohatzopoulos ishte deputet për më shumë se dy dekada dhe shërbeu si ministër i mbrojtjes, ndërsa në 2013 u burgosur për korrupsion

Akis Tsohatzopulos, një nga figurat më të shquara në politikën moderne greke, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare, njoftuan mediat lokale sot, transmeton Anadolu Agency (AA).

Tsohatzopoulos vdiq në një spital privat në qytetin port të Pireut, ku ishte nën trajtim për “probleme serioze shëndetësore”, raportoi e përditshmja greke “Kathimerini”.

Të dhënat e para tregojnë se ai ndërroi jetë nga arresti kardiak, thuhet në raport.

Tsohatzopoulos ishte anëtar i Parlamentit të Greqisë dhe shërbeu si ministër në 10 qeveri të partisë së qendrës së majtë të Lëvizjes Socialiste Panhelenike (PASOK) midis 1981 dhe 2004.

Në 1996, ai nuk pati sukses në kandidimin e tij për postin e kryeministrit pas dorëheqjes së Andreas Papandreou.

Ai më pas mori postin e ministrit të mbrojtjes dhe është veçanërisht i njohur për këtë periudhë nga 1996 në 2001, gjatë së cilës Greqia nisi një nga programet më ambicioze të armatimit në historinë e saj.

Megjithatë, epoka e tij u dëmtua nga raportet për korrupsion dhe shkelje.

Në prill 2012, ai u arrestua me akuzën e pastrimit të parave dhe u dënua me 20 vite burg në tetor 2013.

Ndërsa dënimi iu ul në 19 vjet, Tsohatzopoulos në të vërtetë qëndroi në burg për më pak se pesë vjet, duke siguruar lirimin për arsye shëndetësore në korrik 2018.

Kategoritë
BotaLajme